Uashington, 23 shtator – Shërbimet e sigurisë amerikane, përfshirë edhe sigurinë kibernetike, kanë paralajmëruar se “aktorë të huaj” me siguri do të përpiqen të diskreditojnë zgjedhjet presidenciale të nëntorit duke përfituar nga numërimi i ngadaltë i fletëvotimive të dërguara me postë.
Amerikanët pritet të dërgojnë numër rekord votash për zgjedhjet e 3 nëntorit, në të cilat presidenti aktual Donald Tramp, republikan, dhe kundërshtari i tij demokrat, Xho Bajden, janë kandidatët kryesorë.
Shumë votues vlerësojnë se votimi me postë është një mënyrë më e sigurt për të votuar gjatë pandemisë së re të koronavirusit, e cila tashmë ka shkaktuar 200,000 vdekje në Shtetet e Bashkuara. Por numërimi i fletëvotimeve dërguar me postë merr më shumë kohë për numërim se kur votohet nëpër vendvotime.
Kjo “mund t’i len autoritetet me rezultate jo të plota natën e zgjedhjeve”, kumtoi Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe Agjencia e për siguri kibernetike dhe siguri e infrastrukturës në kumtesë të përbashkët.
“Aktorët e huaj dhe kriminelët kibernetikë mund të shfrytëzojnë kohën e nevojshme për të konfirmuar dhe publikuar rezultatet e zgjedhjeve duke përhapur dezinformata që përfshijnë informacione për të parandaluar votuesit nga votimi, sulmet kibernetike që synojnë infrastrukturën zgjedhore, mashtrimin e votuesve ose fletët e votimit,” thonë të dy agjencitë. Mund të jetë në formën e faqeve të reja në internet ose përmbajtjes së mediave sociale. Qëllimi do të jetë “diskreditimi i procesit zgjedhor dhe minimi i besimit në institucionet demokratike amerikane”.