Të enjten, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi një projektbuxhet prej 4 trilionë dollarësh për vitin fiskal 2018, një hap më pranë miratimit të një ligji të republikanëve për shkurtimin e taksave. Projektbuxheti u miratua me një diferencë të vogël votash, 216 me 212; të gjithë ligjvënësit demokratë votuat kundër tij, ashtu sikurse edhe 20 republikanë, njofton VoA. Kjo tregoi se edhe në mesin e republikanëve ka patur dyshime në lidhje me ligjin e taksave. Miratimi i buxhetit në Dhomën e Përfaqësuesve i hap rrugën miratimit të ligjit të taksave në Senat, edhe pse mbetet ende për t’u marrë një vendim lidhur me disa çështje të vështira që lidhen me të. Miratimi i buxhetit është një fitore për Presidentin Donald Trump dhe udhëheqësit republikanë në Kongres, të cilët janë zotuar ta rishkruajnë ligjin e taksave, një përpjekje që nuk ka mundur të realizohet në më shumë se katër dekada. Plani i taksave i republikanëve kundërshtohet nga demokratët, të cilët thonë se nga ai do të përfitonin kryesisht të pasurit dhe korporatat.