Një gjeneral i lartë amerikan ka thënë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që të krijojnë një koalicion ushtarak ndërkombëtar për të mbrojtur ujërat rreth Iranit dhe Jemenit.
Gjenerali i marinës, Joseph Dunford, tha se iniciativa ka për qëllim të “sigurojë lirinë e lundrimit” në rajon, përmes të cilit sigurohen rrugë të rëndësishme tregtare.
Muajin e kaluar, SHBA-ja akuzoi Iranin për sulme ndaj cisternave të naftës.
Gjenerali Dunford tha se SHBA-ja është në bisedime me një numër vendesh të cilat kanë “vullnet politik” për të mbështetur këtë plan.
Sipas planit, SHBA-ja do të siguronte anije “komanduese dhe kontrolluese”, tha ai. Megjithatë, qëllimi do të ishte që vendet e tjera të ofrojnë anije për të ngritur patrullat afër dhe për të shoqëruar anijet tregtare nëpër zonë.
Gjenerali Dunford po ashtu tha se SHBA-ja do të “punonte drejtpërdrejt me ushtarakët për të identifikuar aftësitë specifike” të çdo vendi që duhet ta mbështesë iniciativën.