Uashington, 3 korrik – SHBA-ja shënoi rekord të ri 24-orësh të të sëmurëve nga Kovid-19 – në 24 orët e fundit u regjistruan 55.274 infektime, më shumë se ditën e kaluar kur u shënuan 54.771, lajmëroi NPR.
Vendi po përgatitet për festimin e nesërm të Ditës së pavarësisë, por autoritetet dhe punonjësit shëndetësorë janë të stresuar për shkak se disa ekspertë e quajnë valë të dytë të pandemisë e cila po përhapet më së shumti në pjesën jugore të SHBA-së.
Në brifingun e mbrëmshëm, dr. Entoni Fauçi, infektologu kryesor i SHBA-së, deklaroi se nëse nuk ka respektim strikt të masave për mbajtje të maskave dhe distancës fizike, është e mundur që rritja ditore e rasteve të reja të arrijë edhe 100.000 raste.
Rritja e infektimeve detyroi numër të madh të shteteve federale të ndërmarrin masa për ulje të përhapjes së virusit.
Florida u bë vatër pasi që në javët e kaluara numri i të infektuarve rritej vazhdimisht. Sektori shtetëror për shëndetësi mbrëmë kumtoi rekord të ri prej mbi 10.000 të rasteve të reja për 24 orë. Epidemia lehtë u përhap pasi që shteti lejoi hapje të bizneseve në maj, dhe nuk vendosi regjim për mbajtje të maskave dhe distancës fizike.
Teksasi është edhe një vatër e epidemisë. Guvernatori Greg Abot dje dha urdhër për mbajtje të obliguar të maskave në qarqet ku ka së paku 20 raste të regjistruara me koronavirus. Numri i të pranuarve të rinj në spitale po rritet, ndërsa në shtet, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar pothuajse 8.000 raste të reja.
Në Kanzas, javën e kaluar numri i rasteve të reja u rrit për 46 për qind, gjithashtu edhe atje është dhënë urdhri për mbajtje të obliguar të masave (me disa përjashtime) dhe mbajtje të distancës fizike prej rreth dy metrave).
Arkanzasi në fillim të majit i pari i hapi bizneset, shteti tani po përballet me valë të të sëmurëve të rinj të cilët u paraqitën në qershor. Kapacitetet spitalore janë përplot me pacientë të sëmurë seriozë, përderisa punonjësit shëndetësorë bëjnë thirrje për mbajtje të maskave dhe mbajtje të distancës fizike.
Në Arizonë, ndërkaq, pothuajse një prej katër testeve për koronavirus del pozitiv. Në Kaliforni, edhe një epiqendër e koronavirusit, gjatë dy javëve të kaluara testet pozitive u rritën për 37 për qind, përderisa hospitalizimet u rritën për 56 për qind.
Policia në Los Angjelos sot paralajmëroi se po fillon me dënimin e personave të cilët do të kapen pa maska në vende publike. Dënimi është në vlerë prej 300 dollarëve.