Uashington, 15 tetor – Shtëpia e Bardhë sot njoftoi për shfuqizimin e kufizimeve për hyrje në SHBA të të gjithë vizitorëve të huaj të cilët janë vaksinuar plotësisht nga Kovid-19. Masa do të hyjë në fuqi nga 8 nëntori.
Nga Shtëpia e Bardhë të dielën informuan se në fillim të nëntorit do të hiqen kufizimet edhe për të gjithë të vaksinuarit plotësisht për hyrje në vendkalimet kufitare drejtë Kanadasë dhe Meksikës. Të pavaksinuarit nuk do të mund të hyjnë në SHBA, përveç për raste të rralla si për shembull fëmijët.
Qendrat për kontroll të sëmundjeve, njoftuan se SHBA-ja do të kërkojë që të gjithë vizitorët e huaj të vaksinohen kundër Kovid-19 me vaksina të miratuara nga rregullatorët e SHBA-së ose të regjistruara në OBSH.
Nga 8 nëntori, SHBA-ja do të pranojë udhëtarë të vaksinuar plotësisht me fluturime nga 26 vende anëtare të zonës Shengen përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë, Spanjën, Zvicrën dhe Greqinë, si dhe nga Britania e Madhe, Irlanda, Kina, India, Republika Jugafikane, Irani dhe Brazili. Zona Shengen është e përbërë nga 22 vende anëtare të BE-së dhe katër shtete të tjera – Zvicra, Lihtenshtajni Norvegjia dhe Islanda.
Kufizimet për hyrje në SHBA ende vlejnë për vendet anëtare të BE-së si Kroacia, Bullgaria dhe Rumania.
Para hipjes në aeroplan për SHBA, udhëtarët do të duhet të tregojnë dëshmi për vaksinim, dhe të kenë rezultat negativ nga testi për koronavirus me datë jo më të vjetër se 72 orë. Të huajt që i kalojnë kufijtë tokësorë të SHBA-së nuk do të kenë nevojë për test negativ për koronavirus.
Kufizimet e para për hyrje në SHBA nga Kanada dhe Meksika ishin vendosur në mars të vitit 2020 që të parandalohet përhapja e koronavirusit dhe për të luftuar pandeminë. Kufizimet e para për fluturime me aeroplanë ishin vendosur në janar të vitit 2020, ndërsa kishin të bënin për personat të cilët vinin nga Kina, ndërsa pastaj masat u përhapën në dhjetëra vende të tjera, përfshirë edhe të gjitha vendet evropiane dhe që atëherë nuk ishin larguar.