Uashington, 5 qershor – Administrata e presidentit amerikan Donald Tramp i ndaloi lundrimet dhe udhëtimet arsimore të qytetarëve amerikanë në Kubë.
Ministria amerikane e Tregtisë prej sot ndalon lundrim e kruzerëve dhe objekteve lundruese nga SHBA-ja drejt Kubës.
Lundrimet nga SHBA-ja deri në Kubë filluan në maj të vitit 2016 gjatë mandatit të Barak Obamës i cili tentoi t’i ripërtërijë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe prej atëherë mbi 142.000 amerikanë e kanë vizituar ishullin.
Këshilltari për siguri kombëtar Xhon Bolton që në nëntor paralajmëroi sanksione të reja për Havanan, ndërsa ndalesën për lundrime e vlerësoi si heqje të burimit të të ardhurave për Qeverinë kubaneze.
“Do të vazhdojmë të ndërmarrim aksione që ta kufizojmë qasjen e regjimit kubanez deri tek dollari amerikan”, theksoi Bolton në Tuiter.