Ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenier, vleërson se nuk janë krijuar kushtet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komuna në veri të Kosovës, të planifikuara për 18 dhjetor, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Hovenier përmes Tuiterit sot ka thënë se siguria e qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Kërkojmë nga të gjithë të involvuarit të shprehin përmbajtshmëri”, ka shkruar Hovenier.
Diplomati amerikan dënoi incidentet e djeshme, duke thënë se përdorimi i dhunës dhe frikësimi nuk është metodë e përshtatshme proteste.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ata që kanë ushtruar dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë metodë e përshtatshme proteste në asnjë rrethanë”, tha Hovenier.
Dje në veri të Kosovës ka pasur disa shpërthime të granatave të dorës dhe shok bombave. Sulmet ndodhën pas ardhjes së zyrtarëve në komisionet komunale zgjedhore, në komunat e asaj pjese të vendit, të banuara me shumicë serbe, me qëllim përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës në fillim të muajit të kaluar.