SHBA-ja i njeh gjuhët e Ballkanit Perëndimor, vazhdon ndihma ndaj rajonit

Përveç çrrënjosjes së korrupsionit, në propozim- legjislacionin për ndihmë dhe mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor që javën e kaluar e prezantuan një grup senatorësh amerikanë, poashtu theksohet se SHBA-ja i njeh gjuhët dhe do të vazhdojë të mbështesin trashëgiminë kulturore në rajon.

Senatorja Xhin Shahin, kryetare e Nënkomitetit për Evropë dhe Bashkëpunim rajonal të sigurisë, duke shpjeguar se çfarë parashikon propozim- legjislativi për rajonin për Zërin e Amerikës tha se Sekretari amerikan i shtetit do të mund të ofrojë ndihmë teknike për vendet e Ballkanit Perëndimor të cilët duan të zhvillojnë strategji kombëtare për luftë kundër korrupsionit.

“Përballja me korrupsionin është pjesë shumë me rëndësi. Dhe atë që e bën legjislacioni është të autorizojë sekretarin e shtetit të sigurojë ndihmë teknike për vendet të cilët kërkojnë ndihmë në adresimin e sfidave të tyre të korrupsionit”, tha Shahin.

Advertisements

Në lidhje me pjesën e propozim- legjislacionit për gjuhët dhe si shikon në atë që Bullgaria e mohon ekzistimin e gjuhës maqedonase, Shahin pranon se “ekzistojnë dallime të kahershme historike mes grupeve etnike dhe vendeve të rajonit”.

“Dhe derisa shikojmë se si të ecim përpara në të ardhmen, mendoj se është e rëndësishme të orvatemi të zgjidhim disa nga ato sfida afatgjata që ekzistojnë, ashtu siç pamë se si Greqia dhe Maqedonia e Veriut përfundimisht i zgjodhën dallimet mes tyre rreth emrit dhe çfarë nënkuptonte ajo për kulturat e dy vendeve. Duhet të shohim më shumë nga ato lloj kompromisesh të cilat do t’u mundësojnë vendeve të ecin përpara dhe të fokusohen në të ardhmen, në vend se të mbeten të bllokuar në të kaluarën”, deklaroi Shahin.

Sipas saj, liderët e Ballkanit duhet të fokusohen në integrimin në Bashkimin Evropian dhe jo në promovimin e konfliktit.

“Kur flasim me njerëzit në udhëtimin në fund të prillit dhe çdoherë kur kam qenë në rajon në të kaluarën, kam dëgjuar nga qytetarët në ato vende se e duan paqen. Ata duan stabilitet, duan të shohin një fund të konfliktit. Duan të kenë mundësi për veten dhe familjet e tyre. Dhe porosia ime për liderët e Ballkanit Perëndimor është të mendojnë se çfarë duan qytetarët e tyre. Mendoni për të ardhmen dhe atë çfarë është mirë për vendin tuaj. Rruga përpara është shikim drejt demokracisë, drejt integrimit me Bashkimin Evropian, me Perëndimin dhe jo duke vazhduar me promovimin e konfliktit që në të kaluarën ishte aq katastrofal për qytetarët e saj”, thotë Shahin.

Ajo thekson se fokusimi në avancimin demokratik është veçanërisht i rëndësishëm në kohën e tensioneve etnike dhe përpjekjeve nga ana e Rusisë për të nxitur konflikt në rajon.

“Derisa Rusia shikon se ku mund të shkojë pas Ukrainës, sigurisht që Ballkani Perëndimor është një nga ato vende dhe prandaj lufta në Ukrainë është kaq kritike. Mendojmë në atë se si të bëjmë gjithçka që është e mundur ta mbështesim Ukrainën dhe përpjekjet e saj kundër luftës brutale të paprovokuar të Rusisë. Nuk mund ta imagjinoj se dikush, kudo në botë dhe veçanërisht në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor, shikon në atë që po ndodh në Ukrainë duke menduar, se do të dëshironte që Rusia të hyjë dhe ta bëjë këtë në vendet e tyre”, deklaroi Shahin.

Ajo thotë se propozim- legjislacioni ka për qëllim të sigurojë progres ekonomik dhe të inkurajojë tregtinë në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm me SHBA-në, por edhe me Evropën dhe vendet fqinje si dhe të krijojë një mjedis me mundësi punësimi për të rinjtë.