Seul, 8 korrik – Përfaqësuesi i presidentit, Donald Tramp në Korenë e Veriut deklaroi sot se administrata amerikane është e gatshme t’i vazhdojë bisedimet bërthamore pavarësisht insistimit të Phenianit se nuk e ka ndërmend të bisedojë me Uashingtonin.
Zëvendëssekretari shtetëror i SHBA-së, Stiven Bigan, foli me gazetarët pas takimit me përfaqësuesit zyrtarë të Koresë së Jugut në Seul, në të cilin është konfirmuar angazhimi i përbashkët për një qasje diplomatike për zgjidhjen e kontestit bërthamor me Korenë e Veriut, por shmangi përgjigjen konkrete se për çfarë kanë biseduar.
Takimet vijuan disa orë pasi mediat shtetërore të Koresë së Veriut publikuan për vizitën e liderit Kim Xhong Un në mauzoleun e Phenianit për t’i bërë nderime gjyshit të tij të ndjerë dhe themeluesit të shtetit, Kim Il Sung, në përvjetorin e vdekjes së tij.
Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut (KCNA) nuk ka informuar për asnjë koment të Kim Xhong Un për bisedimet me SHBA-në, të cilat u pezulluan në shkurt të vitit të kaluar, pasi amerikanët e hodhën poshtë kërkesën e Koresë së Veriut për ta hequr shumicën e sanksioneve në këmbim të një uljeje të pjesshme arsenalit bërthamor të Phenianit.
Pas bisedimeve me përfaqësuesin për çështje bërthamore të Koresë së Jugut, Li Do-hun, Bigan deklaroi që Uashingtoni është gati ta rifillojë dialogun me Korenë e Veriut kur Kim do të zgjedhë një përfaqësues të autorizuar për negociatat për çështjet kryesore.
“Kur presidenti Kim do të emërojë një përfaqësues i cili është i gatshëm dhe i autorizuar për të negociuar në lidhje me këto çështje, ne do të jemi gati”, tha Bigan.
Bigan, i cili dje u taku edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Koresë së Jugut, Kang Kjung, pritet të zhvillojë bisedime edhe me ndihmësit më të afërt të presidentit të Koresë së Jugut para se të udhëtojë për në Japoni të enjten.