SHBA-ja e gatshme për të rinisur bisedimet me Korenë Veriore

Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të rinisur bisedimet me Korenë Veriore pothuajse menjëherë pasi Phenjani të japë shenja se dëshiron të diskutojë denuklearizimin, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Duke folur para gazetarëve, Pompeo ka thënë se ai shpreson që letra e dërguar nga presidenti amerikan, Donald Trump për liderin verikorean, Kim Jong-un, do të “përbënte një bazë të mirë për ne, për të vazhduar diskutimet e rëndësishme me verikoreanët për denuklearizim” të Gadishullit Korean.

Media shtetërore në Korenë Veriore e ka përshkruar letrën e Trumpit si të “shkëlqyeshme” derisa Kim është cituar të ketë thënë se ai do të “shqyrtojë seriozisht” përmbajtjen.

Zyrtarët amerikanë dhe ata verikoreanë, nuk kanë bërë të ditur përmbajtjen e letrës.

Më 12 qershor, Trump ka thënë se ka pranuar “një letër shumë të mirë dhe personale”, nga Kimi.

Përndryshe, Koreja Veriore ka kryer deri më tani gjashtë testime bërthamore dhe pretendon të ketë zhvilluar bomba të vogla bërthamore, që kanë kapacitet të përfshihen në raketa me rreze të gjatë.

Zyrtarët e këtij shteti po ashtu kanë thënë se besojnë që raketat balistike verikoreane mund të arrijnë në tokën amerikane.

Trump ishte zotuar se do të arrinte një marrëveshje me Korenë Veriore, sa i përket politikës së kësaj të fundit rreth programit bërthamor dhe atij të raketave, por ende është arritur pak përparim.

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Koresë Veriore që të braktisë plotësisht armët bërthamore, në këmbim të lirimit nga sanksionet.

Mirëpo Phenjani në anën tjetër kërkon që sanksionet ndaj verikoreanëve të largohen, teksa zhvillohet procesi i denuklearizimit.