Gjenevë, 26 mars – SHBA-ja sot e bllokoi mbledhjen e Trupit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Organizatës Tregtare Botërore (OTB), sepse Administrata e presidentit amerikan Donald Tramp refuzon ta pranojë Qeverinë e presidentit Nikollas Maduro në Venezuelë, raporton KOHA.
Delegacioni amerikan refuzoi ta miratojë agjendën e Trupit për zgjidhje të mosmarrëveshjeve të OTB-së, e cila duhej të shqyrtojë disa çështje, duke e përfshirë edhe kërkesën e Venezuelës për heqje të sanksioneve amerikane ndaj vendit dhe të masave kundër Qeverisë së Maduros.
Diplomati amerikan deklaroi se OTB nuk ka mundur në mënyrë legjitime ta shqyrtojë temën për “regjim jo legjitim” të Maduros. Sipas diplomatit, mbledhja është anuluar “deri në raportimin e mëtutjeshëm”.
“Nëse një vend vendos pikë të rendit të ditës në çdo mbledhje, ndërsa vendi tjetër refuzon të pranojë se ajo agjendë mund të jetë lëndë e diskutimit… atëherë mund të kalojë shumë kohë para asaj mbledhje në përgjithësi që të mbahet”, deklaroi diplomati.
SHBA-ja është mes 50-të vendeve të cilat e pranuan liderin opozitar Huan Guaido për president të përkohshëm të Venezuelë. (koha.mk)