Donacion në vlerë prej 30 mijë dollarësh i cili përbëhet prej mjeteve materiale teknike dhe pajisjeve sot pranoi Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) nga Ambasada e SHBA-së në Maqedoni. Drejtori i Drejtorisë, Shaban Saliu tha se me këto mjete materiale dhe pajisje teknike e plotësojnë tërë sistemin e mbrojtjes dhe shpëtimit të cilin DMSH paraprakisht e ka marrë prej më shumë shteteve nga Evropa. “Me këto mjete dhe pajisje teknike rritet mundësia operative e Drejtorisë gjegjësisht ekipeve për mbrojtje nga vërshimet si dhe efikasiteti në zbatimin gjatë vërshimeve eventuale në shtetin tonë”, theksoi Saliu.
Shefi i zyrës për bashkëpunim midis armatës në kuadër të Ambasadës së SHBA-së, Nënkolonel Xhefri Van Sikël tha se pas vërshimeve në gusht të vitit të kaluar, ndërsa me kërkesë të qeverisë së Maqedonisë, ata së bashku me DMSH-në kanë përpiluar një listë të punëve më të nevojshme që të ndihmohet gjatë shpëtimit të jetëve të njerëzve nga vërshimet potenciale. “Qëllimi ynë është t’u ndihmojmë ekipeve për shpëtim të DMSH-së në misionin e tyre të rëndësishëm t’u përgjigjen sfidave të shkaktuara prej vërshimeve dhe fatkeqësive të tjera natyrore në Maqedoni”, theksoi Van Sikël. Pajisja përbëhet prej 57 kostumeve rezistuese ndaj ujit, 55 palë çizmeve prej gome rezistuese ndaj ujit, 25 maskave me filtra, 40 llambave me bateri dhe 35 reflektorëve.