Uashington, 29 qershor – SHBA-ja u bëri thirrje vendeve evropiane që ta ndërpresin bashkëpunimin me prodhuesin kryesor kinez të pajisjeve të inspektimit të mallrave dhe bagazheve, “Nukteç”, pasi që rritja e pranisë së kompanisë në Evropë gjoja e ka vendosur nën kërcënim sigurinë e kontinentit të vjetër.
Siç njoftoi sot Uollstrit xhurnall, Këshilli Kombëtar i Sigurisë së SHBA-së dhe agjenci të tjera shtetërore u kanë kërkuar partnerëve evropianë ta braktisin sistemin e skanimit të dizajnuar nga kompani të kontrolluara nga qeveria kineze.
Këto sisteme përdoren në aeroporte, porte dhe vendkalime kufitare në vendet evropiane për t’i kontrolluar bagazhet, ngarkesat dhe udhëtarët.
Theksohet se sistemet për kontrollimin e ngarkesave dhe bagazheve janë të integruara ngushtë me bazat e të dhënave që përmbajnë informacione për udhëtarët, siç janë të dhënat e pasaportave, gjurmët e gishtërinjve etj. Zyrtarët e SHBA-së pretendojnë se këto sisteme mund të lejojnë qasjen e ndërmarrjeve kineze në të dhënat personale dhe tregtare.
SHBA-ja ka frikë se “Nukteç” mund të dorëzojë informacione tek autoritetet kineze. Për këtë flitet edhe në dokumentet e Departamentit Amerikan të Shtetit.