Uashington, 30 shtator – Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Majkëll Pens, dje priti presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, “për të riafirmuar mbështetjen e SHBA-së për një Kosovë sovrane, demokratike dhe të begatë”. Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se Pens ka shprehur mbështetje për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përmes kushtetutës, dhe për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Ai gjithashtu ka vlerësuar udhëheqjen e Thaçit, së bashku me atë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për avancimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. “Liderët janë pajtuar për rëndësinë e avancimit të reformave, për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe thellimin e rritjes ekonomike” thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.