Ambasadorja e Britanisë së Madhe, Karen Pierce, në fjalimin e saj mbajtur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka thënë se duhet përparim më i madh dhe më i shpejtë në dialogun në mes Prishtinës dhe Beogradit.
Të gjitha propozimet, sipas saj duhet të orientohen në rritjen e stabilitetit në rajon dhe në sigurinë e qytetarëve. Ajo ka shtuar se popujt e Kosovës dhe të Serbisë kanë zgjedhur liderët e tyre për t’i përfaqësuar interesat e tyre në mënyrën më të mirë. Londra, sipas saj, edhe e pret këtë, transmeton Koha.net.
Pierce ka konfirmuar edhe mbështetjen e Britanisë së Madhe për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Ka ftuar vendet e tjera që ta përkrahin këtë anëtarësim, duke thënë se Policia e Kosovës është shembull pozitiv i përparimit, që nga viti 1999 e deri më tash.
Diplomatja britanike përgëzoi UNMIK-un për rolin që ka pasur në Kosovë, por konfirmoi se Londra zyrtare mbështet reduktimin e këtij misioni dhe të sesioneve në Këshillin e Sigurimit.
Po ashtu edhe përfaqësuesi i SHBA-ve në KS të OKB, është shprehur se ata e mbështesin Ushtrinë dhe anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL
Ambasadori i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Jonathan Cohen, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Neë York, ka përshëndetur liderët e Kosovës dhe të Serbisë për shfaqjen e përkushtimit për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Cohen tha se shpreson që dialogu për normalizim të vazhdojë dhe të intensifikohet dhe kërkoi nga të dyja palët që të mos përfshihen në ndonjë përpjekje që do të rrezikonte legjitimitetin, përfshirë edhe njohjet diplomatike, nga pala tjetër.
“Kjo gjë s’ka vend në një përkushtim të vërtetë për normalizim”, theksoi Ambasadori Cohen, raporton Koha.net.
Ai tha se është koha që të dyja palët të jenë më fleksibile për të arritur një kompromis të cilin do ta pranonin të dyja palët.
“SHBA-ja është e përkushtuar që të mbështes bisedimet në çfarëdo mënyre të mundshme, dhe ne do ta marrim parasysh seriozisht çdo zgjidhje që është e qëndrueshme, e zbatueshme dhe e pranueshme në të dyja vendet dhe që rrit stabilitetin”, potencoi Cohen.
“Njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është e ardhmja. Të gjitha palët do të përfitojnë nga njohja dhe përqafimi i atij realiteti”, u shpreh më tutje Ambasadori i SHBA-së në OKB, Jonathan Cohen.
Në fjalën e tij para të pranishmëve në KS të OKB-së, Cohen përsëriti kërkesën e SHBA-së për t’i dhënë fund misionit të UNMIK-ut në Kosovë.
Tutje, Ambasadori Cohen foli edhe për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, duke thënë se SHBA-ja “mbështet tranzicionin gradual dhe transparent të FSK-së në një ushtri multietnike e ndërveprueshme nga NATO-ja me mandat të kufizuar për mbrojtje të territorit”.
“Legjislacioni para Kuvendit të Kosovës është plotësisht në harmoni me Rezolutën 1244. Është e drejtë sovrane e Kosovës që të krijojë dhe mbajë një forcë të armatosur. Kjo forcë, siç është planifikuar, do të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe globale. Ne i inkurajojmë të gjitha palët që të shmangin dezinformatat dhe retorikën provokuese në lidhje me këtë tranzicion legjitim, gradual dhe shumë-vjeçar”, deklaroi Ambasadori i SHBA-së.
Në fjalën e tij, duke iu drejtuar ambasadorëve të pranishëm në KS të OKB-së, Cohen tha se SHBA-ja vazhdon t’i inkurajojë vendet, “që ende s’e kanë bërë, t’u bashkohen mbi 110 Shteteve Anëtare të OKB-së të njohin realitetin e pavarësisë së Kosovës”.
“Ne mbështesim fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat relevante ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara. Ne në veçanti nxisim të gjithë anëtarët e INTERPOL-it që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it më 20 nëntor. Kosova i plotëson të gjitha kriteret për anëtarësim në INTERPOL. Anëtarësia në OKB nuk është kërkesë për anëtarësim në INTERPOL”, u shpreh Cohen, duke shtuar se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL ka të bëjë krejtësisht me rritjen e aftësisë kolektive të bashkësisë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit për të luftuar terrorizmin, ekstremizmin e dhunshëm, trafikimin, krimin kibernetik dhe aktivitete të tjera kriminale ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, raporton Koha.net.
“Kjo nuk është as pengesë për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, as nuk është në interesin e bashkësisë ndërkombëtare ta shtyjë atë derisa Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje. UNMIK-u ka kohë që u ka dhënë fund funksioneve policore në Kosovës, dhe, duke e pasur Policinë e Kosovës – të njohur si nga Beogradi dhe Prishtina si autoriteti i vetëm i zbatimit të ligjit në Kosovë – anëtarësimi në INTERPOL pa dyshim se do të forconte sigurinë ndërkombëtare. Ne u bëjmë thirrje të gjithëve që të mbështesin Kosovën më 20 nëntor”, potencoi Ambasadori i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Jonathan Cohen.
Në fund, ai përsëriti thirrjen e SHBA-së ndaj të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, që të përqafojnë plotësisht normalizimin dhe të mbështesin njëri-tjetrin në të gjitha aspektet e marrëdhënieve të zgjedhuara që vijnë me të. (ëëë.koha.net)