Dy prindër janë arrestuar në Kaliforni, pasi policia zbuloi se ata i mbanin 13 fëmijët e tyre në robëri, disa prej tyre “të mbërthyer me zinxhir në shtretërit e tyre”.
David Allen Turpin, 57 vjeç, dhe Louise Anna Turpin, 49 vjeç, u arrestuan nën akuzën për torturë fëmijësh, raporton BBC.
Fëmijët e çiftit – të moshës prej dy deri në 29 vjeç – jetonin në Perris, 59 milje (95km) në juglindje të Los Anxhelosit.
“Zyrtarët u alarmuan nga një prej viktimave, një vajzë 17-vjeçare, e cila të dielën arriti të shpëtojë dhe të thërrasë numrin e urgjencës duke përdorur një telefon celular që gjendet brenda shtëpisë”, tha Departamenti i Sheriffit të Riverside në një deklaratë.
Çfarë gjeti policia në shtëpi?
Oficerët e policisë më vonë gjetën “disa fëmijë të lidhur në shtretërit e tyre me zinxhirë në një mjedis të errët dhe me erë të keqe”.
Policia tha se prindërit nuk e shpjeguan menjëherë me një arsye logjike se pse fëmijët e tyre trajtoheshin në atë mënyrë, tha policia.
Zyrtarët u “tronditën” kur zbuluan se shtatë prej atyre që mbaheshin në shtëpi ishin në të vërtetë të rritur, në moshën 18 deri në 29 vjeç.
“Viktimat duket se ishin të kequshqyer dhe shumë të pisët”, tha policia. Të gjitha viktimat tani po trajtohen në spitalet lokale.
Kreu i njërit prej spitaleve, Mark Uffer, tha për agjencinë e lajmeve Reuters: “Është në të vërtetë zemërthyese për stafin dhe është e pabesueshme ajo që shihni”.
Prindërit e Z. Turpin thanë se nipërit e mbesat e tyre ishin të shkolluar në shtëpi, por nuk e kishin parë familjen për katër apo pesë vjet.
Faqja e Facebook-ut e çiftit tregon fotografi të shumta të të gjithë familjes, me sa duket të lumtur dhe të buzëqeshur. Shumë postime kanë komente nga familja ose miqtë.
Një fqinj ,Kimberly Milligan, 50 vjeç, i tha Los Angeles Times-it se ata dukeshin të çuditshëm.