Evis HALILI
Shkup, 30 nëntor – Konventa evropiane për peizazhin, është një prej katër dokumenteve të rëndësishëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të cilin pritet që së shpejti ta implementojë edhe Maqedonia. Për këtë qëllim u organizua edhe forumi i parë me këtë temë “Sfidat nga implementimi i Konventës Evropiane për peizazhin – trashëgimia kulturore peizazh”, shkruan gazeta KOHA. Në Ligjin për mbrojtjen e natyrës, në të cilin përcaktohet edhe nocioni “peizazh i mbrojtur”, tashmë janë të identifikuara disa të tilla, si Parku Nacional i Mavrovës, Mali Sharr, Jabllanica e të tjera, të cilat janë në procedurën e valorizimit. Por, sipas ministrit të Kulturës, Robert Allagjazovski, implementimi i konventës do të nxisë zhvillimin ekonomik, pasi menaxhimi dhe planifikimi i mbrojtjes së peizazhit do të kontribuojë edhe me hapjen e vendeve të reja të punës. Ndërsa kompleksiviteti i kësaj teme qëndron në procesin e identifikimit të të gjitha peizazheve që luajnë një rol domethënës në mbrojtjen e mjedisit dhe planifikimin e hapësirës.
“Ka shumë arsye që ne të intensifikojmë aktivitetet dhe veprimet konkrete për mbrojtjen e peizazheve kulturore. Ato janë të rëndësishme dhe përbëjnë një interes shoqëror, jo vetëm për kulturën, por edhe për ekologjinë, mjedisin dhe sferën sociale….Për fat të keq, gjatë viteve të kaluara përkushtimi i pakët i organeve kompetente dhe shërbimeve profesionale që kanë në dorë zbatimin e kësaj konvente është evident. Mund t’ju siguroj se Qeveria do të përfshihet seriozisht dhe do të mbështesë të gjitha përpjekjet në këtë domen, me qëllim që sa më shpejt të kemi rezultate konkrete dhe përmirësimin e situatës”, ka thënë Allagjozovski.
Në këtë forum zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli, tha se Maqedonia duhet të fillojë të ecë në drejtim të realizimit të qëllimeve të Konventës, të ratifikuar në vitin 2004. “Karta kulturore është e shumëllojshme dhe në të janë të regjistruara monumente të kulturës me vlera të jashtëzakonshme kulturore-historike. Pjesa më e madhe e objekteve rurale dhe objekteve të trashëgimisë së palëvizshme janë të ndërtuara në peizazhe me vlera të posaçme natyrore, që edhe njëherë e konfirmon atë lidhjen e pandashme mes natyrës dhe trashëgimisë kulturore”, është shprehur Makraduli. Realizimi i forumit, që u organizua nga Komiteti Nacional i Këshillit Ndërkombëtare për përmendore dhe lokalitete Ikomos, është pjesë e Programit vjetor për realizimin e interesit nacional në kulturë për këtë vit, si edhe është mbështetur edhe nga Delegacioni i BE në Shkup. Kryetari i Ikomos, Llazar Shumanov, ka kërkuar që të formohet për këtë qëllim një trup koordinativ i përhershëm nga tre ministritë, Kulturës, Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit, si edhe Transportit dhe Lidhjeve. (koha.mk)