Pas dy vitesh, që prej majit të 2015-ës (në turneun Masters të Romës), tenistja ruse Maria Sharapova rikthehet në finalen e një turneu, duke kërkuar të ngrejë lart trofeun në turneun e Tianjin, në vitin e rikthimit të saj në fushë. Sharapova mundi 2-0 (6-3, 6-1) në gjysmëfinale kinezen Shuai Peng, në një ndeshje pa emocione dhe rivalitet, komanduar nga tenistja ruse, që e meritoi fitoren. Ky është suksesi i 15-të sezonal për Sharapovën, që është favorite edhe në finalen e turneut kinez. Përballë saj, në finale do të jetë tenistja bjelloruse Aryna Ssabalenka, që në gjysmëfinalen tjetër mundi po 2-0 (6-1, 6-3) italianen Sara Errani.