Nuk ka paqe për tenisten ruse Maria Sharapova, që pas pezullimit për doping do të dalë sërish para gjykatës, në Indi. Gjykata e Nju Delhit ka nisur një hetim dhe ka kërkuar për dëshmi edhe tenisten ruse, për mungesën e ndërtimit të një kompleksi luksoz në qytetin e Gurgaon. Punimet duhej të përfundonin vitin e kaluar, por kjo gjë nuk ka ndodhur, ndërkohë që Sharapova ka qenë imazhi i këtij kompleksi, të cilin ajo e ka mbështetur fort. Kjo edhe për faktin se aty do të ndërtohej një akademi tenisi si dhe një qendër sportive.
“Sharapova e ka promovuar vazhdimisht ndërtimin e këtij kompleksi, ndaj ajo është pjesë e këtij grupi mashtruesish, ndaj dhe akuzohet për bashkëpunim”, thuhet në deklaratën e gjykatës së Nju Delhit, që ka futur edhe emrin e tenistes ruse mes personave të tjerë të akuzuar për mashtrim kriminal. Tenistja ruse ka qenë disa herë në Indi gjatë vitit 2013 për të takuar ndërtuesit dhe më pas nuk është paraqitur më, duke dalë garantë për madhështinë e këtij kompleksi dhe akademie. “Nëse të akuzuarit nuk kishin licencë për ta ndërtuar kompleksin, atëherë kanë kryer një krim”, thuhet më tej në mediat indiane.