Zvicra mposhti 2-0 Gjeorgjinë në transfertë ditën e shtunë, duke i nisur me fitore eliminatoret e Euro 2020. Kombëtarja helvete ndodhet në grupin D bashkë me Irlandën, Danimarkën, Gjeorgjinë dhe Gjibraltarin.
Golat e shënuar në pjesën e dytë nga Zuber dhe Zakaria vendosën ndeshjen, ndërsa Fabian Shar i trembi të gjithë në pjesën e parë. Mbrojtësi i Njukasëllit u përplas kokë me kokë me Tabidzen dhe qëndroi rreth 4 minuta pa ndjenja në fushë.
Momente paniku dhe frike për të gjithë, por fatmirësisht 27-vjeçari e mori veten dhe përfundoi ndeshjen i fashuar në kokë sikur të mos kishte ndodhur gjë. Në një prononcim për “Blick”, Shar tregon se nuk mban mend gjë nga dëmtimi i pësuar dhe se një gjë të tillë e ka marrë vesh kur ia kanë treguar shokët dhe kur ka parë pamjet.
“Duket e tmerrshme, por nuk mbaj mend asgjë. Qëndrova jashtë për disa sekonda. Qafa më dhemb akoma dhe kam një plagë në ballë, por ia vlejti“, thekson Fabian Shar.