Xherdan Shaqiri shpreson që ta luajë rolin e tij për Liverpoolin në ndeshjen kundër Bayern Munich, ku “Të Kuqtë” janë në kërkim të kualifikimit në çerekfinale. Mesfushori nga Kosova do të rikthehet për herë të parë në “Allianz Arena” që prej se u largua nga gjiganti gjerman për t’iu bashkuar Interit katër vite më parë, shkruan Zëri, transmeton gazeta KOHA.
Shaqiri ka pasur minutazh të kufizuar në muajt e fundit, derisa në ndeshjen e parë kundër Bayern Munich në “Anfield” nuk luajti për asnjë minut.
“Është një ndeshje mes dy top-skuadrave”, tha Shaqiri. “Për mua, është ndeshja më e mirë në këtë garë dhe do të jetë shumë intensive. Më pëlqen të luaj në Ligën e Kampionëve dhe pas një kohe të gjatë, ishte gjë e mirë të rikthesha këtu. Është një nivel më i lartë këtu”, vazhdoi Xherdan Shaqiri.
“Nayrisht, Liverpooli bëri mirë në Ligën e Kampionëve vitin e kaluar, por nuk e fitoi titullin. Tani, ne kemi një mundësi të madhe që të shkojmë tutje. Por, fillimisht duhet ta eliminojmë një top-skuadër”, vlerësoi reprezentuesi zviceran.
Shaqiri, i cili e ka fituar Ligën e Kampionëve kur ishte lojtar i bavarezëve, ka kujtime të mira nga koha e tij te kampioni gjerman.
“Bayerni është klub i madh dhe njëri prej më të mirëve në botë. Shumë njerëz do të vijnë ta shohin ndeshjen dhe unë jam i lumtur që do të rikthehem në ‘Allianz Arena”, vlerësoi Xherdan Shaqiri.