Xherdan Shaqiri është lënë në stol sërish nga Jurgen Klopp në ndeshjen që Liverpooli e fitoi 2-1 ndaj Fulhamit.
Anësori shqiptar, që e nisi furishëm sezonin, ka shkuar në 5 ndeshje me radhë që nuk është paraqitur asnjë minutë për “Të Kuqtë”, shkruan Gazeta Express, transmeton gazeta Koha.
Hera e fundit kur ai ka luajtur, është 24 shkurti në barazimin 0-0 me Manchester Unitedin, i cili u inkuadrua në fund të pjesës së dytë.
Pasi nuk kishte minuta për 27-vjeçarin as kundër Fulhamit, tifozët e Liverpoolit kanë reaguar në “Twitter”.
“A mos Shaqiri ia ka vrarë qenin Kloppit apo diçka e tillë?”, “Çfarë duhet të bëjë Shaqiri që të luajë?”, “Shaqiri, pse je ende në stol?”, “A do të thotë kjo se Shaqiri do të largohet?”, “A e ka edhe dikush tjetër ndjenjën se s’do ta shohim më Shaqirin duke luajtur?”, “Shaqiri meriton të jetë në një vend më të mirë”, “Është e pabesueshme se si Shaqiri nuk luajti as sot”, janë disa nga postimet e shumta të tifozëve për Shqiptarin.
Viti 2019 ka qenë për t’u harruar për Shaqirin, i cili me fanellën e Liverpoolit, ka shënuar 6 gola dhe ka dhuruar edhe 3 asiste.