Xherdan Shaqiri për herë të fundit me fanellën e Liverpoolit është paraqitur kundër Manchester Unitedit[0-0] më 24 shkurt të këtij viti, me yllin shqiptar që në atë takim ishte inkuadruar vetëm në minutën e 83-të. Xherdan Shaqiri nuk po kalon momente të mira me Liverpoolin, derisa Jurgen Klopp nuk e ka aktivizuar mesfushorin nga Zhegra tash e 630 minuta, raporton Periskopi, transmeton gazeta Koha.
27 vjeçari ka ngrohur stolin për shtatë ndeshje radhazi, kundër Watfordit, Evertonit, Burnleyt, Fulhamit, Tottenhmit dhe Southamptonit në Premier Ligë si dhe ndaj Bayern Munichut në Ligën e Kampionëve. Në fillim të edicionit Shaqa arriti shumë shpejt që të ambientohej te Liverpooli, madje ai vendosi edhe derbin kundër Manchester Unitedit duke shënuar 2 gola, por tani gjërat kanë ndryshuar për të keq. Ai nuk po aktivizohet nga Klopp me pretekstin që akoma nuk është 100 për qind i shëndoshë pasi ka pasur probleme në ijë, derisa mediat lokale të Liverpoolit shkruanin se ka prishje të raporteve mes trajnerit gjerman dhe yllit shqiptar.
Liverpooli sonte luan ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve ku do të përballet me Porton dhe me gjasë edhe për këtë takim Shaqiri do ta ngrohë stolin, edhe pse shpresojmë që të ndodhë e kundërta.