Është një këngëtarë mjaft i njohur që i ka rezistuar kohës gjithmonë, vazhdon të kultivojë muzikën e pastër shqipe ngado që shfaqet ndërsa për InfraRed të gazetës KOHA ka gjetur kohë të rrëfejë mbi të rejat e fundit që ka. Shaqir Cërvadiku vjen me një version ndryshe për jetën dhe karrierën
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Ju tashmë jeni këngëtarë i mirënjohur i muzikës popullore, por çfarë kujtoni nga fillimet tuaja me këngën?
Fillimet gjithmonë kanë vështirësitë, emocionet dhe gëzimet për sukseset e para. Atëherë nuk kishte mundësi të bëheshe këngëtarë me ndihmën e kompjuterit. U jam mirënjohës përjetë atyre që më përkrahën në fillimet e karrierës sime muzikore.
KOHA: Në trojet shqiptare mungojnë shumë festivalet e këtij zhanri, cili është mesazhi juaj drejtuar organizatorëve dhe institucioneve?
Muzika e mirëfilltë në vend që të kultivohet dhe të avancohet përmes festivaleve dhe mediave e televizioneve ajo po stagnon. Mediat më shumë i kushtojnë rëndësi këngëtarëve pa vlera muzikore e njerëzore. Tani kur jemi të lirë ka mundësi të organizohen ngjarje të mëdha muzikore mbarëkombëtare.
KOHA: Ju kemi dëgjuar gjithmonë të këndoni muzikën popullore, keni tentuar që të këndoni edhe muzikën e lehtë apo ndonjë bashkëpunim që do tejkalonte pritshmëritë?
Publiku më do si këngëtarë i muzikës popullore dhe në këtë zhanër kam pasur shumë suksese e shumë hite, por vitin e kaluar kam incizuar një këngë të muzikës së lehtë “Torta e martesës”.
KOHA: Mendoni se sot më e paguar është muzika popullore se ajo e lehtë?
Po muzika popullore është më e paguar gjithsesi.
KOHA: Bashkëpunimi juaj i fundit dhe me kë kishit dashur të bëni një duet?
Për festat e fundvitit të kaluar patëm tri potpuri me kolegët Mahmut Feratin, Vjollca Selimin dhe Elona Leka. Në fakt dy duete do ti kem muajt që vijnë. Emrat do të mbeten surprizë.
KOHA: Krahas muzikës, bëni edhe ndonjë punë tjetër apo jo?
Tash i vetmi profesion më ka mbet muzika. Para lufte 15 vite kam qenë mësimdhënës.
KOHA: Trojet shqiptarë kanë nxjerrë vërtetë këngëtarë shumë të mirë, mendoni se ka një sekret këtu?
Shqiptarët kanë talentë të lindur për muzikë. Aty ku kanë patur mundësi të zhvillohen kanë arritur majat e muzikës botërore duke na bë krenar gjithë shqiptarëve siç janë Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Era Istrefi.
KOHA: Si është një ditë e juaja?
Ne i kemi ditët e ndryshme sipas nevojës dhe angazhimeve me gjumë të ç’rregulluar herë pas herë. Tash kur po përgjigjem në pyetjet tuaja jam rrugës duke u kthye nga Amerika ku kalova tepër mirë nga mikpritja e veçantë e shqiptarëve të Amerikës. Atje dallonte nga këtu 9 orë prapa.
KOHA: Po sa i përket jetës private, do na zbuloni ndonjë gjë?
Pas humbjes së bashkëshortes time para më shumë se 8 viteve, më nuk jam martuar dhe jetoj me tre fëmijët e mi që janë kuptimi i jetës sime.
KOHA: A do të kemi një klip tuajin së fundmi?
Për festat e fundvitit do të kem një potpuri që do ta xhiroj për televizionet. Kurse do ti kem edhe dy videoklipe me duetet që do ti kem e që do të jenë tema interesante.
KOHA: Meqenëse jemi në atmosferë festash, cila ka qenë dhurata më e bukur që keni marrë ndonjëherë dhe projektet që do sillni?
Secila dhuratë ka vlerën e veçantë. Nuk mendoj se dhurata peshohet nga vlera monetare por nga pesha njerëzore e personit i cili e bën dhuratën. Njerëzit që bëjnë dhurata janë zemërmirë.