Shkup, 9 tetor – Ministri i angazhuar për Rregulloren për përmirësimin e klimës Investuese për ndërmarrjet vendore, Zoran Shauriq sot është takuar me udhëheqësin për fonde evropiane të Akademisë Evropiane të Rajoneve, prof. Luixhi A. DelAkuila, dhe me drejtorin e Finnova, Huan Manuel ravuelta Perez. Në takim, siç kumtuan nga Kabineti i Shapuriqit, kanë marrë pjesë edhe ambasadori i Mbretërisë së Spanjës, Emilio Lorenco Sera dhe drejtoresha e Qendrës së Biznesit Rajonal për Inovacione, Ksenija Vangellova. Në takim është biseduar për aktivitetet e deritanishme për hapjen e Qendrës së parë rajonale për inovacione, si dhe për bashkëpunimin e mëtejshëm për zhvillimin e këtij projekti midis institucioneve qendrore dhe rajonale, sektorit të biznesit dhe të shkencës.
Këto aktivitete, siç thekson, do të jenë në drejtim të edukimit të kompanive të vogla dhe të mesme për shfrytëzim më efikas dhe më efektiv të më shumë llojeve të mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian. Të gjitha palët e involvuara në të ardhmen do të punojnë në realizimin e përfitimeve të inovacioneve dhe trajnimeve. Ky është një shans i mirë edhe për kompanitë start up për të rinjtë, theksojnë nga Kabineti i Shapuriqit. Luixhi A. DelAkuila dhe Huan Ravuelta Perez kanë potencuar se ekzistojnë mundësi që në të ardhmen të zgjerohen aktivitetet dhe për fusha të ndryshme. Ministri Shapuriq u shprehu falënderim mysafirëve për angazhimin e tyre të deritanishëm për realizimin e këtij projekti dhe ka theksuar se këto aktivitete do të ndikojnë në përparimin e klimës së biznesit në shtet. Ambasadori Emilio Lorenco Sera deklaroi se Spanja i mbështet përpjekjet e Republikës së Maqedonisë në rrugën e integrimeve euroatlantike.