Shkup, 15 nëntor – Lufta kundër korrupsionit është një nga sferat ku Maqedonisë vazhdimisht i drejtoheshin vërejtje në një sërë raportesh të KE-së, ndërsa u theksua edhe në Raportet e Pribesë për atë se si vendi duhet të tregojë rezultate në kontekst të prioriteteve urgjente reformuese. Ligji për mbrojtje të informatorëve, i miratuar në nëntor të vitit 2015, si një prej obligimeve të dala nga Marrëveshja e Përzhinos, e që duhej të kontribuojë në ballafaqimin me korrupsionin, nuk i dha rezultatet e pritura. I quajtur edhe Ligj për “mbrojtje të informatorëve”, sipas shprehjes për informatorët që përdoret në Ligjin amerikan, hyri në fuqi në mars të vitit 2016, por deri tani, për fat të keq, para gjykatave në Maqedoni nuk ka asnjë lëndë që mbështetet në deklaratat e tyre. Drejtori për punë juridike në projektin për përgjegjësi qeveritare nga Uashingtoni, Tom Devajn, i cili javën e kaluar me ftesë të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë mbajti ligjëratë me temë “Roli i mediave në zhvillimin e imazhit publik të informimit”, vlerësoi se Maqedonia ka një prej ligjeve më të mira për mbrojtje të informatorëve në Evropë, por vetëm në letër, për shkak se nevojiten ndryshime të konsiderueshme plotësuese ligjore dhe vendosje të strukturës adekuate që ai të fillojë të japë rezultate. “Një prej hapave të parë që duhet të ndërmerren në drejtim të përmbushjes së këtyre qëllimeve është që Ministria dhe institucionet e tjera shtetërore që kanë çfarëdo lloj kompetencash lidhur me implementimin e këtij Ligji ta vendosin strukturën e domosdoshme dhe sistemit për funksionim të Ligjit për praktikë. Pastaj duhet të sigurohet trajnim adekuat për të punësuarit, për udhëheqësit e tyre dhe për gjykatësit të cilët do të vepronin pas lëndëve të tilla. Dhe e treta dhe më e rëndësishme është që të sigurohet fushatë publike, gjegjësisht e gjithë popullata të njoftohet me Ligjin dhe mbrojtjen që ai e ofron”, thotë Devajn. Ai theksoi se në SHBA një Ligj i këtillë ekziston një kohë të gjatë, por u janë nevojitur 40 vite të plota që të realizohen disa rezultate pozitive. Në Maqedoni, sipas tij, ky do të jetë proces që kërkon punë të pandërprerë dhe kohë. Thotë se në qoftë se të gjithë e realizojnë detyrën e tyre rezultatet mund të vijnë shumë shpejt. Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, ndërkaq theksoi se Maqedonia e miratoi Ligjin për informatorë në vitin 2016, por ai nuk është në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe pothuajse nuk zbatohet pasi, siç thotë ai, sistemi frikësohet prej transparencës dhe llogaridhënie. Selmani thekson se lëshime thelbësore tek Ligji janë mënyra e denoncimit të krimit dhe dënimi i personave të cilët do ta zbulojnë identitetin e informatorëve.
KUR SHTETI MBRON TË KORRUPTUARIT
“Tek ne, informatorët pretendimet për krimin fillimisht duhet t’i denoncojnë në institucionin ku punojnë, në Prokurorinë Publike dhe polici, ndërsa nëse ata nuk ndërmarrin asgjë – atëherë kanë të drejtë ato t’i prezantojnë në opinion. Në botë është e kundërta, informatorët kanë të drejtë drejtpërdrejt t’i denoncojnë keqpërdorimet e institucioneve në opinion. Lëshimi i dytë është dënimet e personave të cilët do të zbulojnë identitetin e informatorit janë shumë të ulëta dhe praktikisht informatorët me dënime të tilla të ulëta janë të pambrojtur”, thotë Selmani. Sllagjana Taseva e “Transparensi Interneshënall Maqedoni”, e cila mori pjesë në përgatitjen e Ligjit, theksoi se në mënyrë intensive po punohet në ndryshimin dhe plotësimin e ligjit ekzistues midis tjerash në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Venecies, ndërsa po bisedohet edhe për përpunimin e strategjisë gjithëpërfshirëse për ngritjen e vetëdijes publike për përmbajtjen e saj dhe për zbatimin e saj. Si një prej shkaqeve për mosfunksionimin e ligjit e theksoi nevojën e resurseve edhe në institucionet edhe në sektorin privat.
“Institucionet të cilat janë kompetente për denoncim të jashtëm si MPB, Prokuroria Publike, Avokati i Popullit dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) në të njëjtën kohë duhet të kenë edhe denoncim të brendshëm për vete edhe për të punësuarit e tyre, gjegjësisht të kenë rol të dyfishtë. Për ta kjo është më e komplikuar nga aspekti i sigurimit të kapaciteteve, të resurseve. Nëse i pyesni njerëzit nga KSHPK, të cilët janë të obliguar që të përgatisin raport vjetor për zbatimin e ligjit, do ta shihni se deri më tani nuk ka asnjë denoncim prej ndonjë informatori”, tha Taseva. Edhe statistika, shtoi ajo, tregoi se shumë pak institucione kanë vendosur sistem për denoncim të brendshëm dhe se është më i madh numri i kompanive private të cilat e kanë bërë një gjë të tillë. “Institucioni i vetëm i cili ka bërë diçka për denoncimin e jashtëm është KSHPK, i cili në ueb faqen e vet publikon se si mund të bëhet një gjë e tillë. Nga MPB kemi informacion se aktet janë sjellë dhe se personi është përcaktuar, presim se çfarë do të ndodh më tej”, thekson Taseva. Sipas saj, në ligje duhet të vendosen mekanizma të cilat do t’i bëjnë të zbatueshme, gjegjësisht zbatimet do t’i bëjnë të obligueshme, pasi që në institucionet e sektorit publik askush nuk ka pësuar ndonjë pasojë pasi që në dy vitet e kaluara askush nuk ka bërë asgjë për mbrojtjen e informatorëve dhe se nuk ka kurrfarë përgjegjësie – as pasojë, as kontroll e as kundërvajtje. Ndryshe, paraqitja e mbrojtur në kuptim të Ligjit për mbrojtje të informatorëve në Maqedoni definohet si paraqitje me të cilën, në pajtim me këtë ligj, transmetohet dyshimi i matur apo njohuria se është kryer, po kryhet apo se është e mundshme se po kryhet ndonjë veprim i dënueshëm apo ndonjë tjetër joligjor apo i palejuar, me të cilin shkelet apo rrezikohet interesi publik. Interesi publik me këtë rast definohet si mbrojtje e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe qytetarit, të pranuara me të drejtën ndërkombëtare dhe të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, parandalim i rreziqeve për shëndetin, mbrojtjen dhe sigurinë, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe të natyrës, mbrojtje të pronësisë dhe të lirisë së tregut dhe sipërmarrësisë, sundimi i së drejtës dhe parandalimi i krimit dhe korrupsionit.
NË SHBA, LIGJI ËSHTË MIRATUAR NË VITIN 1979
Ligji i parë për mbrojtjen e “informatorëve” është miratuar në vitin 1979 në SHBA. Tom Devajn, i cili punon në përgjegjësinë dhe llogaridhënie të pushtetit nga vendosja e ligjit, nga vitit 1979 deri më tani ka punuar në mbrojtjen e mbi 7.000 informatorëve brenda dhe jashtë SHBA-së, vlerëson se miratimi i tij paraqet revolucion të vërtet në sferën e legjislacionit. Sot 37-të shtete në botë kanë miratuar ligj për mbrojtjen e informatorëve, ndërsa edhe në 60-të shtete të tjera ekzistojnë ligje për mbrojtjen e tyre, por në sektorë të tjerë. Sipas tij, informatorët sot janë shumë të suksesshëm sepse përmes reagimeve të pushtetit në ankesat e tyre mbrohen njerëzit prej veprave të ndryshme kriminele, parregullsive në veprimin e institucioneve shtetërore, por edhe mbrojtjen e shëndetit të njeriut dhe mjedisit jetësor në tërësi. “Përmes informatorëve dhe asaj që kanë ta thonë mund të mbrohet vendi prej katastrofave të mëdha, të parandalohet ndonjë Çernobil i ardhshëm. Në sferën e shëndetit në SHBA u zbulua se shumë prej qumështit që përdoret për të pirë përmban materiale të dëmshme për shëndetin, që ka qenë rezultat nga informatorët. Mbrojtje më e madhe në sferën e shëndetit dhe mjekësisë janë regjistruar te ilaçet, ku informatorët kanë zbuluar se më shumë se 50-të ilaçe përmbajnë substanca të dëmshme dhe në këtë mënyrë janë shpëtuar më shumë se 50.000 jetë të qytetarëve, që është e barabartë me numrin e viktimave nga lufta në Vietnam”, thekson eksperti amerikan.
PËRVOJAT NË RAJON DHE EVROPË
Eksperti amerikan Devajn si shembull të funksionimit të mirë të Ligjit për informatorë e përmend Serbinë, ku ligji është miratuar para një viti e gjysmë dhe ku është kryer trajnim për të gjitha palët e interesuara, si dhe fushatë e fuqishme për njohje të popullatës me Ligjin dhe mundësitë që i ofron ai, përkatësisht të sigurohet njohuri për ligjin dhe njerëzit të jenë të gatshëm të informojnë, përkatësisht të tregojnë për korrupsion dhe krim. “Faktet janë se Serbia vetëm në gjashtë muajt e parë nga zbatimi i Ligjit ka dhjetëra e dhjetëra raste të suksesshme për dallim nga SHBA-ja, ku në dhjetë vitet e para nga zbatimi i Ligjit, rastet e tilla janë mundur të numërohen në gishtat e një dore”, thotë eksperti amerikan për mbrojtje të informatorëve. Në Itali, sipas Lluka Trifone nga Agjencia e tyre për antikorrupsion (ANAK), Parlamenti ende diskuton për ligjin për informatorët. Atë që ata bënë është se u dhanë autorizime të mëdha personave të cilët janë përgjegjës për parandalim të korrupsionit dhe për transparencë të cilët emërohen në pajtim me ndryshimet në Ligjin e tyre për parandalim të korrupsionit. “Në secilën administratë duhet të ketë një person të tillë përgjegjës për parandalim të korrupsionit. Zgjedhja jonë ishte ky person të ketë kompetenca edhe për informatorët. Ai person duhet të kujdeset edhe për mbrojtjen e identitetit të informatorit dhe i pranon paraqitjet nga informatorët”, thotë Trifone. (mia.mk)