Bruksel, 14 shkurt – Ushtruesi i Detyrës ministër i Mbrojtjes i SHBA-së, Patrik Shanahan deklaroi sot se mbështet fuqimisht NATO-n dhe se SHBA-ja është e përkushtuar në Aleancë.
“Obligimi ynë në bazë të nenit 5 mbetet i pandryshuar dhe SHBA do të vazhdojë t’i kryesojë dhe mbështesë unitetin euroatlantik dhe sigurinë”, deklaroi ai para gazetarëve në Bruksel.
Pas bisedimeve dyditore me kolegët e Aleancës, Shanahan theksoi se SHBA-ja nuk do t’i tërheq forcat e veta në mënyrë unilaterale prej Afganistanit pa u koordinuar paraprakisht me aleatët.
Ushtarët amerikanë janë rreth gjysmë e forcave të NATO-s në Afganistan, të cilët për momentin janë rreth 17 mijë dhe janë pjesë e Misionit për mbështetje i cili ka për qëllim t’i trajnojë dhe këshillojë forcat afgane të sigurisë dhe të ndihmojë që të krijohet bazë për paqe të përhershme në vend pas 18 vjetësh konflikt.
“Nuk ka tërheqje unilaterale. Kjo ishte një prej mesazheve të takimit të sotëm. Do të koordinohemi. Ne jemi së bashku”, deklaroi ai, duke potencuar se NATO ka rol kryesor në zhvillimin e forcave afgane të Sigurisë.