Shamia në shkolla, po u shkelet e drejta disa nxënësve

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se çështja e bartjes së shamisë në shkolla nuk është e kufizuar dhe sipas tij, përderisa nuk është e përcaktuar me ligj, po u shkelet e drejta e shkollimit nxënësve që e bartin shaminë. Qelaj ka deklaruar se është në dorën e deputetëve që ta definojnë në mënyrë të qartë çështjen e bartjes së shamisë në shkolla dhe jo ta lënë me udhëzime administrative. “Është përgjegjësi e Kuvendit të Kosovës në mënyrë të qartë ta definojë këtë çështje, jo ta lë në udhëzime administrative. UA nuk është as ligj, është akt administrativ që e nxjerrë ministri. Çështja e bartjes të shamisë nuk është e kufizuar, është në mandatin e shtetit, përderisa nuk është e përcaktuar me ligj po i shkelet e drejta e atyre nxënësve që i mohohet e drejta e arsimimit. Është përgjegjësi e shtetit, edhe vetë Gjykata Evropiane e të drejtave të njeriut thotë që shtetet vendosin se si duhet ta rregullojnë”, ka thënë ai.

Derisa citoi Avokatin e Popullit në vitin 2004, Marek Antoni Novicki, Qelaj tha se ligjet në fuqi nuk janë të mjaftueshme për ta kufizuar këtë të drejtë. Ai foli edhe për Projektkodin Civil për lejimin e martesave mes gjinisë së njëjtë, për çka tha se Kushtetua e Republikës së Kosovës e lejon martesën e gjithsecilit pa e përcaktuar gjininë. “Nëse Kushtetuta jonë ka përcaktuar që çdokush të mund të martohet me këdo, është detyrim i shtetit që me ligj t’i qartësojë këto situata e jo t’i komplikojë”. Ai ka bërë thirrje që të respektohet Kushtetuta dhe të kalojë ky Projektkod. “Çfarë ka qenë thirrja ime është që të respektohet Kushtetuta. Kodi civil është një grumbull i ligjeve. Unë shpresoj që do të reflektojnë autoritetet përgjegjëse, tani kodi civil është në Kuvend dhe besoj që do të jenë në përmbushje të vullnetit dhe frymës kushtetuese për ta kaluar atë”, ka thënë ai.