Ajo quhet Liga Kandele dhe ka lindur në Smiltene, Letoni, por jeton në Qerret.
Kjo nuk është historia e një të huaje të dashuruar me Shqipërinë, por historia e një vajze të talentuar, e cila e jeton jetën si dëshiron, me shumë lehtësi e me shumë pasion, në një mikrokozmos pak misterioz e magjik. Liga ka tipare somatike, tipike të krahinës së cilës i përket, zonës baltike. Bukuri e akullt. Sy blu, trup i gjatë dhe atletik, lëkurë e bardhë dhe flokë ngjyrë gruri.
Në këtë editorial, është vetë ajo që vishet me artin e saj: piktura të vërteta në shalle delikate, që duken sikur janë të markës së njohur “Hermes”. Liga ka stil francez, elegant, të rregullt dhe duket si përfaqësimi më i denjë i të qenit femër. Pikturat e saj në shalle mëndafshi janë aksesori më i bukur për të kornizuar këtë person mistik. Ajo ka kryer studimet për dizajn tekstili, për të vazhduar më pas me fotografinë në Romë, prandaj bukuria dhe mahnitja që shkaktojnë veprat e saj, nuk janë krejt të rastësishme.
Liga ka pesëmbëdhjetë vjet që pikturon në shalle mëndafshi, që në kohën e shkollës së lartë. Duhet të jesh profesionist i fushës për të ditur që në këto lloj punësh, pëlhura e mëndafshit blihet në ngjyrë të bardhë dhe e plotë, pa prerjet e zakonshme që ne njohim. Më pas, është vetë Liga që i pret ato në copëza më të vogla, sipas nevojës, dhe më pas fillon me disenjimin e tyre. Bojërat për të punuar mëndafshin janë të shtrenjta dhe specifike, sepse do t’i nënshtrohen edhe proceseve të tjera, siç janë ekspozimi në diell apo larja. Disa bojëra shërbejnë si konture, pra, për të mos lejuar përzierjen e të tjerave, dhe janë pikërisht ato që vizatohen të parat. Shallet e saj janë tërësisht produkte të punuara me dorë, me pasion dhe me dashuri; vepra të vërteta arti që përçojnë energji dhe optimizëm.
Veprat e Ligës janë të pasura me ngjyra vibrante, silueta, detaje, momente jete të florës dhe faunës dhe në mënyrë të menjëhershme kupton që diferenca e gabimit duhet të jetë minimale ose zero. Këtë e konfirmon edhe Liga, gjatë bisedës që bëjmë nga një foto në tjetrën. Ajo thotë që në raste gabimi duhet që në atë pjesë të vizatosh diçka tjetër, që mund të qëndrojë mirë me temën. E kupton qartë që dy nga pasionet e saj janë piktura dhe natyra. Pikturën ajo ka vendosur ta marrë me vete, ta jetësojë, ta largojë nga kornizimi në mure dhe ta kthejë në një aksesor funksional. Ndërkohë, natyra, shumë e pranishme edhe gjatë fëmijërisë së saj, por dhe në vendin e origjinës, ndodhet në çdo penelatë. Ngjyrat e kuqe dhe të portokallta të vjeshtës, e gjelbra ndriçuese e pranverës, argjendi i njëbrirëshit, dhelpra, bufi, janë të gjithë aty. Peizazhe të vërteta, momente të shkëputura nga një pyll i banuar, bimë, gjethe, lule, pemë, qiell… çdo bukuri, çdo emocion që na rrethon është në shallet dhe në veshjet e saj.
Liga është rritur mes natyrës dhe tashmë ajo është pjesë e saj. Kënaqësinë e pashpjegueshme që natyra shkakton te ne, e përçon ajo në prekjet dhe qenësinë e saj, si në fëmijëri.
Në Letoni, ku natyra është mbizotëruese dhe një nga stinët më të bukura është vjeshta, e gjelbra e verës largohet me përtaci. Pikërisht në stinën më të bukur, ekziston një traditë tjetër e bukur, ajo e mbledhjes së kërpudhave. Një traditë që Liga e ka ndjekur në fëmijëri me gjyshin e saj e që tashmë po e trashëgon te djali i saj i vogël. Shallet e Ligës, por ndonjëherë edhe veshje të tjera, janë pasion dhe shumë punë. Gjithçka ndodh atje, në Qerret, mes pishave, detit më të egër dhe plazhit të boshatisur që ajo shijon aq shumë; mes luleve dhe bimëve, mes natyrës që e frymëzon dhe që ajo e dashuron aq shumë, mes qetësisë dhe kënaqësive të përditshme familjare.
A ËSHTË KJO LUMTURIA?
Shallet e Liga Kandeles, një emër marke, ndodhen prej më shumë se një dekade në Etsy, por dhe në profilin e saj në Instagram, me të njëjtin emër. Prandaj, nëse dëshiron të dhurosh diçka magjike apo nëse dëshiron të veshësh një pikturë, këto janë vendet ku mund të kontaktosh me të. Një thesar që mirëpret./Living/