Shakira, sipas të përditshmes “Gol” ka një pasuri prej 220 milionë dollarë, një shifër që nuk habit aspak, duke qenë se vetëm në turneun e saj të fundit “Sale el Sol World Tour”, në vitet 2010-2011, artistja kolumbiane arriti të arkëtojë 100 milionë dollarë, me biletat që u shitën për 50 dollarë secila.
Por jo vetëm kaq. Sipas portalit “Tu Salario”, balerina dhe këngëtarja ka fituar 130 mijë euro në ditë, ose 4 milionë euro në muaj nga shitjet e disqeve, fushatat publicitare, etj..
Shakira ka shitur mbi 60 milionë kopje të albumeve në botë, por fama e saj u rrit edhe më shumë pas interpretimit të këngës zyrtare të Botërorit 2010, “Waka Waka”, ndërsa hiti “Hips Don’t Lie” është një prej atyre që kanë shitur më shumë kopje.
Albumi i Shakirës “Laundry Service” pati një sukses të madh në tregun anglosakson të muzikës, me 20 milionë kopje të shitura. Megjithatë ka edhe më shumë. Shakira ka edhe linjat e saj të fragrancave të parfumeve si “S”, “Elixir” dhe “Rock”, ndërkohë që për dy sezone ka qenë në rolin e trajneres në versionin amerikan të shfaqjes televizive për talentë “The Voice”.
Për sa i përket Pique, futbollisti përfiton 6 milionë euro në vit nga kontrata me Barcelonën, shifër së cilës i shtohen edhe të ardhurat nga publicitetet, ndërkohë që është në pronësi të disa bizneseve. Ndër firmat që janë në zotërim të 31-vjeçarit, është ajo e videolojërave, “Kedad Games”, ndërkohë që ka 27% të kapitalit të “Bas Alimentaria”, kompani e produkteve të mishit.
Sipas përllogaritjeve të revistës “People With Money”, Pique mendohet se arkëton çdo vit 90 milionë euro.