Moskë, 24 prill 2019 (MIA) – Shakaxhinj rusë, të cilët janë prezantuar rrejshëm si presidenti i sapo zgjedhur ukrainas, Volodimir Zelenski, gjoja me telefon e kanë kërkuar dhe kanë biseduar me presidentin francez, Emanuel Makron pas zgjedhjeve të së dielës në Ukrainë, përcjellë KOHA.
“Shegaxhinjtë”, të njohur si Vovan dhe Leksus e kanë kërkuar Makronin, ndërsa njëri prej tyre është prezantuar si presidenti i ri ukrainas, Zelenski.
Në audio incizimin me bisedë 15-minutash të vendosur sot në Jutjub dëgjohet se si gjoja Makron ia uron fitoren Zelenskit dhe i dëshiron ta gëzojë fitoren në zgjedhjet presidenciale në rrethin e familjes.
“Ju falënderoj shumë për mbështetjen, me 73 për qind ndjehem si Vlladimir Putin, ai ka rezultate të tilla të njëjta”, ka bërë shaka Zelenski i rremë.
Një zë i ngjashëm me atë të Makronit i është përgjigjur shakasë se ekziston së paku një dallim me Rusinë, “akoma të gjithë kundërshtarët e juaj nuk i keni dërguar në burg”, është përgjigjur presidenti francez.
Një përfaqësues zyrtar nga kabineti i Makronit nuk ka dashur ta komentojë videon, duke cekur se as nuk do ta konfirmojë, e as ta demantojë autenticitetin e saj.
Përndryshe, Zelenski u takua me Makronin paraprakisht këtë muaj në Paris.
Leksus dhe Vovan janë të njohur për atë që u lajmërohen burrështetasve të lartë në mbarë botën dhe u prezantohen si kolegë të tyre. “Viktima” të tyre, mes të tjerëve, ishin edhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, këngëtari Elton Xhon dhe ish-ministri i jashtëm britanik, Boris Xhonson. (koha.mk)