Pediatria Lira Gjika këshillon prindërit për shakatë që duhet të evitojnë me fëmijët dhe bebet e tyre. Komentin e saj pediatria e njohur e ka bërë në profilin e saj në Facebook. Ja çfarë shkruan ajo: “Shpesh, të rriturit i ngacmojnë fëmijët e vegjël, për kënaqësi. I ngacmojnë derisa fëmija i vogël nervozohet, apo inatoset. Dhe në këtë çast, i rrituri ndjen kënaqësi të madhe dhe qesh në sy të fëmijës. Ndërsa fëmija i vogël i dëshpëruar dhe i inatosur, kërkon me sy nënën apo zëvendësuesin e saj, por më kot, sepse nëna apo gjyshja apo dadoja, qesh së bashku me atë tjetrin që e ngacmon pa e përfillur. Nëna nuk e ndalon këtë ngacmim, madje e shijon. Të rriturit qeshin dhe kënaqen, ndërsa fëmija i trembur, qan dhe bërtet. Kjo lojë është shumë e rrezikshme, pasi krijon modelin, që kur tjetri është në vështirësi, mund të qeshet me gjendjen e tij, në vend që të ndërhyhet për të qetësuar. Kjo do të thotë që padashur, ne i rrisim fëmijët me anestezi emocionale”.