Gostivar, 16 tetor – Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Arafat Shabani dhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari sot realizuan vizitë pune në dy shkolla komunale me qëllim që të njoftohen me gjendjen aktuale të realizimit të mësimit.
Siç njofton Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Shabani theksoi se me mënyrën e të mësuarit nga distanca, mësimi po realizohet me sukses edhe gjatë periudhës së pandemisë. Në shkollat të cilët i plotësojnë protokollet e shëndetësisë mësimi realizohet me prani fizike ku po respektohen protokollet dhe masat mbrojtëse .
“Vazhdimisht rritet përfshirja e nxënësve të cilët mësimin e ndjekin nga distanca dhe pjesa më e madhe e nxënësve orët online i ndjekin pa asnjë vështirësi. Së bashku me kryetarët e komunave dhe drejtorët vazhdimisht i tejkalojmë sfidat e paraqitura nga kriza shëndetësore”, theksoi zëvendësministri Shabani.
Edhe në kushte të jashtëzakonshme procesi i mësimit të organizuar vazhdon, ndërsa meritat më të mëdha për fillimin e suksesshëm të vitit të ri shkollorë u takojnë mësimdhënësve të cilët me të gjithë kapacitetin e tyre u angazhuan për mbarëvajtjen e procesit edukativo – arsimor.
Ajo që është veçanërisht e rëndësishme për momentin është të respektohen protokollet dhe masat mbrojtjes si dhe të ndiqen algoritmet.
“Përgjegjësi e MASH-it, është që drejtorëve dhe mësimdhënësve t′iu ofrojë kushte të sigurta për zhvillimin e mësimit në shkolla. Sjellja jashtë shkollave është përgjegjësi e prindërve dhe nxënësve”, u përgjigj Shabani në pyetjen e gazetarëve.
Ai edhe një herë përsëriti se hapja e shkollave për mësim me prani fizike është vendim i Qeverisë, si dhe u bëri thirrje për respektimin e vazhdueshëm të masave dhe sjelljen me përgjegjësi.
“Është vërtetuar se masat mbrojtëse funksionojnë mirëpo duhet të respektohen vazhdimisht nga të gjithë. Vazhdimi i mësimdhënies me prani fizike në shkolla do të varet nga sjellja e përgjithshme e të gjithëve”, theksoi Shabani.
Sipas kryetarit Taravari, kjo vizitë pune u shfrytëzua për një pasqyrë më të detajuar të realizimit të procesit edukativo – arsimor në Gostivar.
“Me zëvendës-ministrin biseduam për të gjithë sfidat që i kemi në lidhje me zhvillimin e mësimit në komunën tonë. Bashkëpunimi me MASH-in po realizohet çdo ditë dhe zgjidhen të gjitha nevojat” u shpreh Taravari.