Shkup, 7 korrik – Besueshmëri më e mirë dhe cilësi në furnizimin me energji elektrike dhe rritje e fleksibilitetit në menaxhim, ndërsa njëkohësisht edhe ulje e rreziqeve nga ndërprerjet dhe defektet dhe ulje në minimum e shpenzimeve për mirëmbajtje dhe eksploatim do të arrihet me rikonstruimin e stacionit transformues “Shkup 4” që e bën SHA MEPSO.
Kjo u tha gjatë vizitës së sotme në aktivitetet vijuese nga projekti “Rikonstruktim i ST Shkup 4” që e realizuan zëvendëskryeministrja e Çështjeve Ekonomike Mila Carovska së bashku me drejtoreshën e përgjithshme të SHA MEPSO Eva Shukleva dhe drejtorin e zyrës së Bankës Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim (BERZH) Andi Arnitasi.
Me rikonstruimin, siç theksoi Shukleva do të zëvendësohen pajisjet e vjetra që janë në funksion tashmë 45 vjet me të reja, pajisje bashkëkohore me tension të lartë. Vlera e projektit arrin 4,9 milionë euro, të financuara nga borxh nga BERZH, ndërsa kryerës i punëve është “Konçar KET” nga Kroacia dhe prodhuesi vendor “Timel Proekt”.
Zëvendëskryeministrja Carovska tha se SHA MEPSO gjatë periudhës së fundit tregoi se mund të investojë në riparimin dhe ndërtimin e infrastrukturës elektro-energjetike, me qëllim që të sigurohet qasje shumë më stabile në energjinë elektrike në vendin tonë.
“MPSO në vetëm 2.5 vjet zbaton projekte me vlerë 100 milionë euro, një pjesë e fondeve sigurohen nga vetë kompania, një pjesë nga institucionet financiare ndërkombëtare, gjë që tregon se modernizimi dhe përmirësimi i rrjetit të energjisë së transmetimit është një përparësi për vendin tonë. Ky trafostacion furnizon me energji elektrike kompanitë në zonën teknologjiko-industriale Bunarxhik, të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe siguron energji elektrike për infrastrukturën hekurudhore, të cilën si qeveri ne e konsiderojmë të rëndësishme, investojmë në zhvillimin e saj, në mënyrë që të sigurojmë transport më të mirë për qytetarët tanë dhe transporti të mallrave”, tha Carovska.
Drejtori i Zyrës së BERZH Arnitasi tha se rikonstruimi i TS “Shkup 4”, objekt i rëndësishëm infrastrukturor energjetik në kryeqytet, është pjesë e projektit 25 milionësh financuar nga BERZH me të cilin do të rikonstruohen pesë trafostacione dhe shtatë përçues 110 kilovatësh në mbarë vendin.