Rikuperimi i futbollistit të Bajernit Xhoshua Kimishit po ecën me hapa shumë të shpejtë. Mesfushori gjerman që u dëmtua në klasiken me Dortmundin ka lënë pas një operim në gju dhe në vetëm pak ditë ka arritur të zbresë në fushën e stërvitjes për të vrapuar.
Një lajm i mirë ky për klubin dhe tifozët bavarez të cilët shumë shpejt mund ta shohin atë në fushë. Dëmtimi i Kimish u konsiderua në fillim i rëndë dhe që mund ta linte atë jashtë fushave për një kohë të gjatë. Por, terapia e veçantë e përdorur nga klubi gjerman ka bërë që dje, lojtari të stërvitej edhe me topin. Në javën e ardhshme nuk përjashtohet mundësia e ndonjë seance me ngarkesë për lojtarin i cili mund të grumbullohet për ndeshjet e fundvitit.