Pas fitores prej 1:0 ndaj Madagaskarit Përfaqësuesen e Kosovës të martën e pret një tjetër sfidë, shkruan sot gazeta Zëri. “Dardanët” do ta zhvillojnë miqësoren e dytë në Francë, por tani kundër një kundërshtari dukshëm më të fortë sesa Madagaskari, Burkina Fasos. Madagaskari aktualisht e zë vendin 109 në ranglistën e FIFA-s, në të cilën Burkina Faso është shumë më lart. Është në pozitën e 57-të dhe prapa saj janë disa shtete të njohura, si Norvegjia, Shqipëria, Sllovenia, Rusia apo edhe Finlanda. Kurse Kosova është në pozitën e 176-të.
Përzgjedhësi i ri i Kosovës, Bernard Challandes, është i kënaqur që të shtunën debutoi me fitore, gjë që ia mundësoi goli i Edon Zhegrovës në ndeshjen e parë të tij me ekipin verdhekaltër. Mirëpo trajneri zviceran e ka lënë prapa fitoren ndaj Madagaskarit, duke e bërë gati ekipin e tij për sfidën e sotme me Burkina Fason. Edhe këtë ndeshje Challandes e konsideron si një mundësi të mirë për t’u njoftuar akoma më shumë me skuadrën, të cilën e mori në dorë vetëm para pak javësh. Ai po e studion nga afër ekipin dhe tashmë e ka nisur procesin e zbatimit të planit të tij, me të cilin synon ta ngrijë Kosovën, duke ia përmirësuar si mbrojtjen ashtu edhe sulmin, të cilat reparte kanë lënë shumë për të dëshiruar në kualifikimet e botërorit “Rusia 2018” me 24 gola të pësuara dhe vetëm 3 të shënuara.
“Këto dy miqësore për mua janë si dy seanca stërvitore. Fitoret nuk janë prioritete. Kjo nuk do të thotë se ne nuk duam të fitojmë, por për mua më të rëndësishme janë disa gjëra tjera”, ka deklaruar Challandes. “Këto dy ndeshje po i shfrytëzoj për t’i parë të gjithë lojtarët në situata të ndryshme”, ka pohuar ai.
Challandes është ndarë i kënaqur nga miqësorja e parë e fituar ndaj Madagaskarit, por jo plotësisht.
“Sa i përket fitores, natyrisht se jam i kënaqur. Në këtë kamp që po e mbajmë në Francë fokusi ynë ka qenë përmirësimi në mbrojtje. Në ndeshjen e parë nuk pësuam gol, gjë që është e rëndësishme sepse në kualifikimet e Botërorit Kosova i ka pësuar 24 gola”, ka theksuar ai.
Challandes tashmë është njoftuar edhe me mentalitetin e ekipit të cilit do t’i prijë deri në fund të kualifikimeve për “Euro 2020”.
“Jam i kënaqur edhe me mentalitetin e skuadrës. Futbollistët qëndruan kompaktë, kjo ishte ajo që doja në ndeshjen e parë dhe duhet të vazhdojmë kështu”, është shprehur Challandes.
Ai shpreson që në ndeshjen ndaj Burkina Fasos Kosova të mos i përsërisë disa gabime që i ka bërë në miqësoren e së shtunës.
“I kemi humbur disa topa, por mund t’i korrigjojmë gabimet. E kemi mundur Madagaskarin e respektuar, por që nuk është Brazil. Duhet të jemi të përqendruar dhe të shohim për të ardhmen”, ka nënvizuar ai.
Filozofia e Challandesit më së shumti do të duhej t’i pëlqente portierit Samir Ujkani, i cili deri më tani ka pësuar gola të shumtë pak për faj të tij e shumë për faj të mbrojtjes, në të cilën tekniku zviceran synon revolucion.
“Jemi duke punuar shumë në mbrojtje. Jo vetëm mbrojtësit, por i gjithë ekipi duhet të jetë i ekuilibruar. Kështu bëjnë edhe ekipet më të mëdha, andaj edhe ne duhet ta kultivojmë këtë mentalitet që të mbrohemi jo vetëm me mbrojtës, por si ekip e në anën tjetër të luajmë sa më mirë edhe në mesfushë, edhe sulm”, ka theksuar kapiteni kosovar.
Pas këtyre dy ndeshjeve Përfaqësuesja kosovare nuk pritet të tubohet para muajit qershor, kur do ta zhvillojë së paku edhe një tjetër ndeshje miqësore në një kohë kur fillon të afrohen garat e Ligës së Kombeve.