MODIFIKIMI GJENETIK
Debatet mes shkencëtarëve filluan të ziejnë vitin e kaluar mbi një teknologji të re që na lejon të ndryshojmë ADN-në njerëzore. Është quajtur Crispr dhe është një mjet për të ndryshuar ADN-në e njerëzve, me qëllim nxjerrjen e sëmundjeve si kanceri jashtë ekuacionit. Tingëllon fantastike, apo jo? Por çfarë ndodh nëse merr një kthesë të errët etike dhe bëhet një projekt për të projektuar ‘foshnjat e duhura’, duke përzgjedhur embrionet që prodhojnë bebe që do të kenë një sasi të caktuar inteligjence ose, që kanë disa tipare të caktuara fizike? Ndërkohë që ende nuk përdoret gjerësisht për t’u konsideruar si një “sfidë e madhe” e të tashmes, ky është një avancim i ardhshëm, për pasojat e të cilit duhet të përgatitemi. Është e arsyeshme të sigurohemi, që eticistët të kenë një vend në tryezë në çdo laborator, universitet dhe korporatë që mund të kërkojë të ndryshojë ADN-në tonë. “Reflektimi i duhur për atë që ne mund të duam të ruajmë nga vetja kërkon kohë – duhet të nxirret nga një spektër i gjerë këndvështrimesh, rreth asaj se çfarë do të thotë të jesh njerëzor”, thotë Nikola Agar, profesor i etikës në Universitetin Victoria të Uellingtonit në Zelandën e Re. “Është e vështirë që të krijosh hapësirë kohe për reflektim etik, kur mundësitë e reja teknologjike rendin me shpejtësi”.
QYTETET E HUMBURA
Nuk ka nevojë të kërkoni shumë në një vend si Miami, për të parë se si ndryshojnë qytetet në shekullin 21 – rritja e niveleve të detit gradualisht po i bën disa prej tyre të zhduken. Të nxitura nga ndryshimet klimatike, jo vetëm që përmbytjet po bëhen më të zakonshme në rrugë, por modelet e ndryshimit të motit kanë ndikuar gjithashtu në projektimin e ndërtimeve. Përveç më shumë mbrojtjeve nga detet, qyteti kërkon që të ndërtohen të gjitha ndërtesat e reja me katin e parë më të lartë. Por kjo është veçse një suva pak më lart – nëse tendencat aktuale vazhdojnë, mund të na duhet të marrim parasysh humbjen e qyteteve, ishujve dhe rajoneve të ulëta si Bangladeshi. Ndikimi ekonomik në rajone do të jetë i thellë dhe refugjatët e klimës mund të bëhen normë. Presioni po rritet tashmë në qytete, ndërsa popullsia urbane rritet. Nëse ndryshimet klimatike detyrojnë migrimin masiv, atëherë infrastruktura ekzistuese, shërbimet dhe ekonomitë mund të tendosen deri në pikën e “thyerjes”.
PLAKJA E POPULLSISË
Nuk do të luftojmë vetëm me faktin që popullsia e botës po shpërthen – njerëzit gjithashtu po jetojnë më gjatë. Gjë që është shumë e mirë – por të gjithë ata qytetarë të plakur në moshë do të kërkojnë kujdes. Në fakt, numri i njëqindvjeçarëve do të rritet më shumë se 50 herë – nga 500 mijë që janë sot, në mbi 26 milionë në vitin 2100. Nga Mbretëria e Bashkuar, në Japoni e Kinë, shoqëritë me një numër të madh njerëzish mbi 65 vjeç do të bëhen më të zakonshme. Në dekadat e ardhshme, teksa kjo rritje nis të ndodhë, do të na duhet një kujdes më i mirë për të moshuarit (Japonia madje ka hedhur sytë nga robotët) dhe ndoshta politika që lejojnë futjen e më shumë imigrantëve, në përpjekje për të kompensuar plakjen e forcës punëtore dhe në disa raste, rënien e lindjeve.