Afaristët kërkojnë një strategji për rritje të përshpejtuar dhe të qëndrueshme ekonomike. Kërkojnë edhe një marrëveshje ku saktë do të përcaktohet roli i shtetit, dhe mospërzierja e tij në sektorin privat
Nga Fisnik PASHOLLI
Lidhja e Odave ekonomike të Maqedonisë ka kërkuar një përkushtim më të madh nga qeveria ndaj ekonomisë dhe zbutjes së paqartësisë politike, që e gërryen ambientin e biznes bërjes në Maqedoni. Bile një nga tre odat ekonomike në shtet ka alarmuar se mjaft biznese mendojnë edhe të transferojnë punën e tyre në shtetet fqinje. Kjo në praktikë do të thotë punësime të reja, dhe mbushje të buxhetit të fqinjëve tanë. Afaristët kërkojnë nga liderët politik që të ulin topin dhe të mendojë se si së bashku me komunitetin e biznesit të mendojnë, se çka mund të bëjnë për prosperitetin e shtetit dhe për qytetarët në përgjithësi. Si prioritete theksojnë sigurinë politike dhe juridike, rritjen e ekonomisë, ndryshimin e ligjeve vetëm në konsultim me biznesin, vullnet të qartë në luftën kundër korrupsionit, si dhe përforcimin e luftës kundër ekonomisë informale.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore kohë më parë kanë kërkuar mbështetje më të madhe dhe konkrete për zonën e Vizbegut, ku sivjet janë parashikuar vetëm një milion euro për infrastrukturën e saj, për një mjedis biznesi që punëson 2700 persona dhe qarkullon afër 343 milion euro në vit. Kërkohet edhe ristrukturim i administratës publike dhe shtetërore si dhe emërim i kuadrove cilësor dhe jo-partiak. Nga OEMVP, kërkojnë edhe përmirësim të efikasitetit të institucioneve shtetërore për përgjigje ndaj kërkesave të biznesit, si dhe eliminimin e ngecjeve administrative dhe procedurale për realizimin e investimeve kapitale.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë kanë kërkuar një strategji për rritje të përshpejtuar dhe të qëndrueshme ekonomike. Kërkohet edhe një marrëveshje ku saktë do të përcaktohet roli i shtetit, dhe mospërzierja e tij në sektorin privat, si dhe për obligimet e sektorit privat ndaj shtetit që do të mbështesin zhvillimin ekonomik. Ndër problemet kryesore dhe parësore mbetet edhe çështja e një numri të madh të të papunëve që posedojnë diploma por që nuk kërkohen në tregun e punës, të personave që janë të papunë një kohë më të gjatë, ku së paku një pjese e tyre nevojitet të inkuadrohet në tregun e punës, si dhe të balancohet hendeku midis nevojave dhe kërkesave të tregut të punës.
Konsensusi se si do të zhvillohet shteti në një periudhë prej 10 deri 15 vjet nga ana e të gjithë faktorëve shoqëror në shtet do të zgjidhte edhe problemin me mungesën e fuqisë së kualifikuar punëtore. Aktualisht në Maqedoni mungojnë studimet afatgjate për nevojën e zanateve në tregun e punës. Anketat e Agjencisë së punësimit për kërkesat e shkathtë si në tregun e Maqedonisë sigurojnë tregues afatshkurtër të dobishëm për pritjet e punëdhënësve në lidhje me punësimet e reja dhe nevojat për shkathtësitë me të cilat duhet të disponojnë personat që të jenë konkurrues në tregun e punës. Afaristët thonë se analizat e nevojës së tregut të punës për zanatli në industri apo biznesin e vogël, duhet të bazohen në radhë të parë në investimet kapitale që i planifikon shteti në infrastrukturë (ndërtimi i rrugëve, hekurudhës, energjetikë). Gjithashtu, duhet të dihen edhe planet investuese të sektorit privat vendor dhe të huaj që të mund të planifikohen nevojat në tregun e punës, që gjithsesi me kalimin e kohës do të ndryshohen dhe përshtaten, në varësi prej nevojave.
Pra, pas kalimit të marrëveshjes së Prespës edhe në Parlamentin grek dhe anëtarësimit të pritshëm në NATO në vitin e ardhshëm dhe fillimit të bisedimeve me BE sivjet, mbetet të shohim se sa ekzekutivi do të angazhohet me fuqishëm në rritjen e ekonomisë dhe përmirësimin e standardit të qytetarëve, si dhe sa do të kemi deri në fund të vitit, rezultate më të mëdha në reformat e ndryshme, që në fund të fundit nuk i bëjmë për Evropën, por që shtetin ta bëjmë një vend ku do jetohet në mënyrë të dinjitetshme dhe nga ku nuk do të ketë nevojë që patjetër të iket jashtë për të siguruar jetesë më të mirë dhe perspektivë për të gjithë gjeneratat. (koha.mk)