Analizat tregojnë se vetëm në vitin 2018 kemi harxhuar vetëm për importin e mishit, vajit, qumështit, drithërave dhe sheqerit afër 280 milionë euro, që si prodhime ka mundësi të sigurohen edhe në vend
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 25 mars – Përderisa qytetarët e Maqedonisë së Veriut po grumbullojnë rezervat ushqimore, apo po qëndrojnë në radhë para dyqaneve për furnizime, ndërsa ekzekutivi po miraton vendimin për ngrirjen e artikujve kryesor ushqimor, shtrohet çështja se sa shteti prodhon mjaftueshëm ushqim dhe prodhime bujqësore për nevojat vendore. Nga Shoqatat e bujqve për vite me radhë ankohen se po shënon ulje pjesa më e madhe e prodhimtarisë bujqësore me përjashtim të disa prodhimeve, ndërsa nuk kemi edhe prodhim të mjaftueshëm nga prodhuesit vendorë të ushqimit për nevojat vendore. Gjithashtu, kemi edhe eksport jo konkurrues dhe me çmime të ulëta. Analizat tregojnë se vetëm në vitin 2018 kemi harxhuar vetëm për importin për importin e mishit, vajit, qumështit, drithërave dhe sheqerit afër 280 milionë euro, që si prodhime ka mundësi të prodhohen edhe në vend.
Nëse i referohemi raportit të fundit të disponueshëm të Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2018,në vitin 2018 kemi harxhuar 107 milionë euro për importin e mishit, afër 46 milionë euro për qumësht dhe prodhimet e qumështit, vezëve dhe mjaltit, 17 milionë për perime, 30 milionë euro për drithëra, për produktet bujqësore për prodhimin e vajit janë dhënë 18 milionë euro,dhe 45 milionë euro për sheqerin. Për prodhimet e industrisë së miellit janë harxhuar 21 milionë euro, për vajra dhe yndyra me prejardhje bimore dhe të shtazëve janë harxhuar 50 milionë euro. Njëherësh, për përpunimet e mishit dhe peshkut janë harxhuar 34 milionë euro, afër 12 milionë euro janë harxhuar për importin e peshkut, për prodhimet apo përpunimet e pemë perimeve janë ndarë 31 milionë euro, ndërsa për prodhimet në bazë të miellit janë ndarë 47 milionë euro, për importin e pemëve dhe lajthive , arrave dhe të ngjashme janë ndarë 42 milionë euro.
Me fjalë të tjera , nëse merren prodhimet kryesore të importuara në sektorin e bujqësisë dhe ushqimit që mund të prodhohen edhe në vend del se 46 milionë janë harxhuar për qumështin , kos, djathë, ajkë e të ngjashme që kryesisht vjen si import nga shtetet e Ballkanit perëndimor, 107 milion euro janë harxhuar për importin e mishit të gjedhit, lopës e kështu me radhë nga Brazili, Polonia, Gjermania, Austria e kështu me radhë. Ka pasur edhe import prej 30 milionë euro për drithëra kryesisht nga Serbia, Kroacia, Bullgaria, apo edhe vaj dhe lëndë e parë për prodhimin e vajit me vlerë prej 50 milionë euro, apo të sheqerit në vlerë prej 45 milionë euro.
Agronomët thonë se shkaku kryesor pse ushqehemi me ushqim të prodhuar jashtë është prodhimi stihik, si dhe fakti se bujqit pak prodhojnë prodhime blegtorale ,si pemë apo perime për industrinë përpunuese, ndërsa më shumë janë të orientuar të prodhojnë për shitje në treg, në vend për kapacitetet prodhuese. Me fjalë të tjera mungon përpunimi më i madh i industrial i përpunimeve të qumështit, mishit, si dhe pemë-perimeve.
Ekspertët e bujqësisë thonë se na duhet një përpunim më i madh i prodhimeve bujqësore me vlerë të shtuar që do të arrijnë çmime më të mëdha në treg në vend se të shitet si lëndë të para, përmes zhvillimit më të madh të industrisë ushqimore vendore që duhet më shumë të apsorbojë prodhimtarinë vendore.
“Mungesa e konsistencës së politikës bujqësore, niveli i ulët i investimeve në kompleksin bujqësore, ngecja në shfrytëzimin e fondeve IPARD, janë shkaqet kryesore pse nuk kemi arritur një nivel më të sofistikuar të prodhimit për eksport. Andaj ushqimi jonë në tregun botëror ofrohet me nivel të ulët të finalizimit që e bën pak konkurrues”, thotë eksperti bujqësor Boris Anakiev. Sipas tij, nivelin e ulët të konkurrencës së këtij sektori e tregon edhe fakti se ushqimi vendor i dedikuar për eksport, arrin çmimin më të ulët se ushqimi që vjen nga importi për 349 dollarë për një ton. Sipas agronomëve, është me interes për bujqësinë vendore të planifikohet prodhimi sipas trendeve të zhvillimit të tregut për të mënjanuar mundësinë e paraqitjes së hiperprodhimit të një kulture të caktuar bujqësore dhe deficitin e një kulture tjetër në treg. Ndryshe sipas analizave të Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2019, shënon rritje eksporti i prodhimeve bujqësore dhe ushqimore në raport me vitin 2018 për 14.5 për qind. Njëherësh është zvogëluar deficiti në këtë sektor nga 246.6 milionë euro në vitin 2018 në 212.6 milionë euro në vitin 2019. (koha.mk)
IMPORTI I USHQIMIT
Mish: 107 milionë euro
Qumësht dhe përpunime të qumështit: 46 milionë euro
Drithëra: 30 milionë euro
Vaj: 50 milionë euro
Sheqer: 45 milionë euro