Ndryshimet e shpeshta të ligjeve nuk kanë sjell ndryshim real në terren në raport me infrastrukturën nëpër komunat, e cila ende nuk është e përshtatshme për personat me aftësi të kufizuar. Përveç qasjes, personat me aftësi të kufizuar kërkojnë nga shteti që të kontribuojë në ngritjen e vetëdijes së opinionit publik, pasi që ata ende përballen me pabarazinë
Destan JONUZI
Shkup, 28 nëntor – Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 300 deri në 400 qytetarë me aftësi të kufizuara јаnë në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë vetëm 19 për qind e komunave, kanë qasje për këta persona, ndërsa 34 për qind janë tërësisht të pa qasshme.
Bazuar në hulumtimin e Qendrës për menaxhim me ndryshimet, 83 për qind e komunave kanë të autorizuar njerëz që merren me problematikën e personave me aftësi të kufizuar, por 78 për qind prej tyre këtë informacion nuk e kanë ndarë me opinionin, pasi që nuk e kanë bërë publik në ueb faqet e tyre zyrtare. Nga ana tjetër edhe ndryshimet e shpeshta të ligjeve nuk kanë sjell ndryshim real në terren në raport me infrastrukturën nëpër qytete e cila ende nuk është e përshtatshme për personat me aftësi të kufizuar. Nga Organizata e personave me aftësi të kufizuar “Shpresa” thonë se përveç qasjes shteti duhet të ngre edhe vetëdijen publike, pasi që personat me aftësi të kufizuar ende përballen me pabarazinë.
“Ligjet në përgjithësi në Maqedoni janë në përmirësim e sipër si në aspekt të së drejtave të njeriut e po ashtu edhe në aspektin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Por sa ato zbatohen në praktikë është krejtësisht diçka tjetër, nga arsyeja se vetëdija njerëzore është ende në një gjumë të thellë dhe assesi të zgjohet. Ende më shumë po flitet, sesa po punohet në përmirësimin e kushteve për qasje të personave me aftësi të kufizuara në institucione, si dhe për barazinë e tyre në shoqëri”, deklaroi për KOHA, Sefer Hiseni, kryetar i Shoqatës “Shpresa”. Ai thotë se edhe pse ndryshimet ligjore janë të shpeshta, situata në terren është e njëjtë, gjegjësisht nuk ka qasje për personat me aftësi të kufizuara në infrastrukturën e qyteteve dhe objektet e institucioneve shtetërore.
Lidhur me inkuadrimin e tyre në jetën shoqërore e politike, kreu i shoqatës “Shpresa” thotë se përfshirja në politikë nuk u mohet, por se arsyeja e mos kyçje është që mos njolloset siç shprehet ai, çiltërsia e personave me aftësi të kufizuar. “ Sa i përket përfshirjes në politikë, kjo gjë nuk na mohohet, por ne në përgjithësi si persona me aftësi të kufizuara nuk dëshirojmë të përfshihemi në ujërat e kësaj politike se mendojmë se do të njollosemi edhe më tepër, edhe më tepër dyfish do të bëhemi të hendikepuar, do të na mbyllen sytë me gënjeshtra të kulluara të politikës ditore dhe nuk do të jemi në gjendje tu kundërvihemi gënjeshtrave politike”, shprehet ai.
Ndryshe, nisur nga Konventa për drejtat e personave me aftësi të kufizuar shteti obligohet në përmirësimin e kushteve për këtë kategori të shoqërisë. Edhe pse Maqedonia të njëjtën e ka ratifikuar në vitin 2011, ajo ende është larg zbatimit praktik . Sipas, Konventës në shoqëri ekzistojnë persona me aftësi të kufizuara fizike, shqisore, psiko-sociale dhe intelektuale. (koha.mk)