Globalizimi dhe përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, e bëjnë profesionin e përkthyesit shumë të kërkuar. Përkthimi nga maqedonishtja në shqip e anasjelltas është zgjeruar mjaft dhe do të zgjerohet edhe më tej me Ligjin për Zbatimin e Gjuhëve, me vajtje-ardhjet Shqipëri, Kosovë – Maqedoni, komunikimin dhe bashkëpunimin institucional të Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë e Kosovën.
Nga Asllan Hamiti
Sfidat e përkthimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë të shumta. Po të vështrojmë tekstet e përkthyera nga shqipja në maqedonisht dhe anasjelltas po edhe interpretimet (simultane, konsekutive) shpërfaqen shumë probleme të natyrave të ndryshme. Në një paraqitje të shkurtër është e pamundur të përmenden të gjitha. Por, ne do të përpiqemi të themi vetëm disa që i kemi hetuar në përkthimet maqedonisht-shqip e anasjelltas:
1.Arsimi jocilësor parauniversitar e universitar në R. e Maqedonisë së Veriut
Konstatim i përgjithshëm është se ne kemi arsim jocilësor. Për këtë gjendje të pamirë fjtor jemi të gjithë. Këtu mund të përfshihen planet e programet mësimore jo të papërshtatshme për nxënësit e studentët e kohës sonë, tekste të dobëta shkollore, kushtet jo të mira hapësinore dhe mospasja e mjeteve mësimore, pagat e ulëta të mësimdhënësve, punësimet jo sipas kriterit të cilësisë, mungesa e shprehisë për të lexuar tekste e vepra me vlerë që sjell kufizime në kulturën e përgjithshme të rinisë sonë si dhe në kulturën e dobët gjuhësore,duke mbjellë analfabetizmin funkcional dhe jorrallë duke prodhuar analfabetë me diplomë. Thjesht, të rinjtë e të rejat tona nuk janë të motivuar për të nxënë dituri që më pas të merren me punë intelektuale,por shpresojnë të dalin jashtë vendit për një jetë materiale më të mirë.Si përfundim, sistemi i keq arsimor prodhon kuadro të dobëta, përfshirë edhe përkthyesit.
2. Mosnjohja e mirë e gjuhës amtare
“Gjuha më mirë se gjithçka tjetër jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe.” Janë këto fjalët e Ismail Kadaresë që të ftojnë të reflektosh rreth asaj që po ndodh me gjuhën shqipe, e përkufizuar si pasqyra e kulturës dhe e kombit tonë.
Shpërfillja e shqipes është vetëm njëri nga problemet e shumta serioze të shoqërisë shqiptare. Konstatim i përgjithshëm është se në Maqedoninë e Veriut kemi pak njerëz që dinë ta flasin e ta shkruajnë shqipen ashtu si duhet. Problemi më i madh në përdorimin e shqipes standarde lidhet me kulturën e dobët gjuhësore, sidomos e brezit të ri. Mosnjohja e mirë e gjuhës amtare, ka të bëjë me mangësi të rënda në arsimin bazë, por edhe me mungesën e leximit, krahas me mospërpjekjen për të pasuruar ligjërimin dialektor, ndikimin e gjuhëve të huaja dhe krijimin e brezave dy- a tregjuhësh.
Për të përmirësuar këtë gjendje të pamirë duhet kushtrimuar të gjithë: institucionet arsimore, nxënësit, prindërit, mësimdhënësit, mjetet e informimit dhe e gjithë shoqëria. Propozim i përgjithshëm i gjuhëtarëve është që lëndë të kulturës së gjuhës të mësohen si të domosdoshme në të gjitha fakultetet në Shqipëri, Kosovë e në Maqedoninë e Veriut. Ai (mjeku, ekonomisti, gjykatësi, gazetari, përkthyesi, …) që flet e shkruan mirë, ka shumë sukses në jetën dhe në punën e tij.
Në dallim nga ligjërimi i shkujdesur dhe bisedor, që përvetësohen lehtë nga komunikimi i përditshëm, ligjërimi libror kërkon një përgatitje paraprake arsimore e kulturore si dhe një përvojë të nevojshme gjuhësore. Nuk mund të kemi përkthyes të mirë me njohjen e ligjërimit të shkujdesur e atë bisedor, pa njohjen e ligjërimit libror.
Shqipja e sotme, si edhe çdo gjuhë tjetër e gjallë, është tërësi: a) variantesh historike, b) variantesh territoriale, c) variantesh stilistike dhe ç) variantesh shoqërore. Përkthyesi duhet të njohë mirë të gjitha këto larmi gjuhësore të dy gjuhëve të punës. Ai, si edhe çdo intelektual tjetër, duhet të njohë mirë gjuhën standarde, që ështëvarianti më i plotë, i përpunuar, i normuar dhe mbarëkombëtar, që shërben për të shprehur shkallën më të lartë të komunikimit, të qytetërimit, të kulturës, të shkencës dhe të artit letrar.
Gjuha standarde jeton e vepron në trajtën e stileve funksionale. Funksioni dhe përshtatja e ligjërimit sipas veprimtarive njerëzore është kriter për dallimin e pesë stileve funksionale: stili i veprimtarisë shkencore e teknike, shtetërore e administrative, shoqërore e politike, stili i veprimtarisë letrare artistike dhe stili i veprimtarisë fetare.Përkthyesiduhet të dijë karakteristikat e stilit të tekstit që përkthen. Fjala vjen, po të dojë të përkthejë një tekst që i takon stilit shkencor, përkthyesi duhet të ketë parasysh se stili shkencor karakterizohet nga të shprehurit e drejtë logjik, nga saktësia e përdorimit të termave, nga qartësia e thënies etj. Tipike për të janë informacioni, logjika, objektiviteti dhe saktësia.
3. Mosrespektimi dhe mosnjohja e tjetrit
Maqedonia e Veriut është shtet shumënacional e shumëgjuhësor, por etnitetet janë shumë të mbyllur në vete, kanë paragjykime për tjetrin që shprehet gjithkund, si në tekestet mësimore, në mjetet e informimit, në jetën e përditshme etj. Përkthyesi duhet të ketë njohuri të përgjithshme, të njohë shumë mirë gjuhën burimore dhe gjuhën e synuar së bashku me kulturat që lidhen me to si dhe njohuri të thelluara në fushën që përkthen (ekonomi, drejtësi, letërsi, art, sport etj.).
Mbyllja vetëm në guackën e vet sjell izolim, mosnjohje të mjaftueshme të kulturës së tjetrit që ka për pasojë edhe probleme të shumta e të pakëpërcyeshme përkthimore. Në këtë kuptim, nxënësit shqiptarë maqedonishten e kanë lëndë të domosdoshme dhe fillojnë ta mësojnë që nga klasa e tretë e deri në studime, ndërsa shqipja për joshqiptarët në R. e Maqedonisë së Veriut ka statusin e gjuhës fakultative vetëm në tri vitet e arsimit fillor (nga klasa VI-IX).
Të paktë janë joshqiptarët që përcaktohen të mësojnë shqipen(në shkollë, në kurse apo edhe në fakultet). Njohësit e mirë të shqipes me gjuhë amtare maqedonishten do të ishin më të suksesshëm në përkthimet shqip-maqedonisht.
Do të ishte mirë që të ndiqen edhe te ne modelet më të mira të vendeve shumëgjuhësore, përkatësisht gjuha shqipe të jetë lëndë mësimore e domosdoshme edhe për joshqiptarët në arsimin parauniversitar.
4.Mosnjohja e teorisë së përkthimit dhe mosmbështetja në praktikën e deritashme të përkthimit
Të paktë janë ata përkthyes në Maqedoninë e Veriut që njohin si duhet teorinë dhe teknikën e përkthimit e të interpretimit, veglat teknike dhe aplikacionet ndihmëse. Zaten, nuk kemi as specialistë për të trajnuar studentët për këtë fushë. Nga ana tjetër, përkthimi e interpretimi nga shqipja në maqedonisht e në kahjen tjetër ka një traditë disavjeçare. Për shumë fjalë e terme tani më janë gjetur gjegjëset përkatëse, prandaj përkthyesit e sotëm duhet lexuar e parë për të zgjidhur mëdyshjet a hezitimet tona për ndonjë variant përkthimi.
Pra, për të lehtësuar punën, për të siguruar njëtrajtësinë e për të ndihmuar standardizimin e njërit nga variantet e mundshme përkthimore nga gjuha A në gjuhën B,përkthyesi duhet të mbështetet në praktikën përkthimore jo vetëm nga një gjuhë në shqip, po edhe nga gjuhët e tjera jo të punës.
5.Mosinteresimi i institucioneve për të siguruar përkthyes të mirë
Në Fakultetin e Filologjisë “Bllazhe Koneski” në Shkup, kemi një katedër përkthimi e interpretimi me gjuhët e mundshme kombinimi: maqedonisht, anglisht, frëngjisht; si edhe në grupet përkatëse me programe të veçanta përkthimi. Në Katedrën e Gjuhës e të Letërsisë Shqiptare, ku edhe jam pedagog, kemi Grupin e përkthimit shqip-maqedonisht për a) studentë që shqipen e kanë gjuhë amtare dhe për b) studentë që shqipen nuk e kanë gjuhë amtare.
Si punonjës i këtij institucioni lirisht mund të them se organet përkatëse nuk kanë bërë asnjë investim për të siguruar kushtet e nevojshme për punë të suksesshme: mungojnë pajisjet teknike, laboratori i interpretimit, mosshpallja e konkurseve për punësimin e kuadrit të specializuar, mungesa e literaturës së nevojshme, probleme të organizimit të punës praktike për përkthim e interpretim në institucionet përkatëse si dhe çështje të tjera.
Problemet e përgjithshme në arsim, mosinvestimi e mosinteresimi i institucioneve përkatëse për traduktologjinë në Maqedoninë e Veriut, mungesa e programeve të mirëfillta të përkthimit, puna stihike pa planifikim e pa strategji zhvillimi ka sjellë shumë zbrazëtira në përgatitjen e studentëve që të integrohen në tregun e punës pas përfundimit të studimeve.
6.Mungesa e konsultimit dhe e punës ekipore në procesin e përkthimit
Në praktikën e deritashme të përkthimit e të interperetimit shqip-maqedonisht e anasjelltas ka munguarkonsultimi profesional si dhe puna ekipore. Kanë përkthyer shumëkush për arsye komerciale, me nguti, ndonjëherë pa e rilexuar e përmirësuar përkthimin, pa përvojën e kompetencën e nevojshme gjuhësore, pa konsultimin me profesionistë të fushës; pra përgjithësisht pa respektuar fazat e nevojshme të procesit të përkthimit.Kemi vetëm pak përkthyes të mirë shqip-maqedonisht e anasjelltas, por edhe më pak interpretues. Shumica e teksteve të përkthyera janë botuar e po botohen pa redakturë profesionale, redakturë gjuhësore, lekturë apo korrekturë.
Zaten, edhe teksti i shkruar në gjuhën amtare,qoftë edhe nga njohësit e mirë të gjuhës apo edhe shkrimtarët, duhet të rimerret disa herë për ta sjellë atë në nivelin e kënaqshëm. Në ligjërimin e shkruar ka kohë të gjatë të mendohet ajo që thuhet, të zgjidhet forma e shprehjes, të rishikohet ajo që është thënë, të ndreqet e të rregullohet.
Kontrollimi përfundimtar shërben si një provë e cilësisë së përkthimit, në veçanti nëse teksti është i qartë, i shkruar në shqipen standarde dhe që lexohet sikur të ishte hartuar fillimisht në gjuhën shqipe. Në të gjitha rastet kur përkthyesi ka dyshime të caktuara, ai duhet ta përgatisë një listë pyetjesh për redaktorët gjuhësorë dhe për ekspertët e fushës. Edhe pse të tre pjesëmarrësit kryesorë (përkthyesi, eksperti i fushës,redaktori gjuhësor) punojnë veç e veç në procedurën e përkthimit, rezultatet më të mira arrihen kur ka ndërveprim ndërmjet tyre.
7. Mosnjësimi (jostandardizimi) i shumë termave në shqipen
Siç dihet, gjuhët kanë fjalë të përdorimit të përgjithshëm si dhe fjalë të specializuara në fusha të caktuara të veprimtarisë njerëzore, përkatësisht terme (si p.sh. në mjekësi, jurispodencë, ekonomi, fizikë, matematikë, astronomi, art, sport,…). Pjesa e leksikut të përgjithshëm mund të bjerë deri përgjysmë. Gjysma tjetër i takon leksikut shkencor. Bërthamën e leksikut shkencor e përbëjnë termat. Ato kanë dallime nga fjalët e zakonshme, pasi në vend të kuptimeve (kuptimet janë një përgjithësim nga përvoja njerëzore dhe përcaktohen brenda sistemit gjuhësor) shënojnë nocione (nocionet janë rezultat i njohjes shkencore dhe përcaktohen në sistemin e secilës disiplinë).
Fjalët e përgjithshme, kur kthehen në terma, ripërkufizohen, si p.sh. uji për gjeologjinë është mineral i lëngët,vetëtimat ose rrufetë në gjuhën teknike njihen me termin shkarkim elektrik, shfaqje të elektricitetit; ngjeshja apo fërkimi i trupit në mjekësi njihet me masazhë, verdhëza në mjekësi emërtohet me hepatit C,ndezja e mushkërive me bronhit e asmë, dhëmbi në mjekësi njihet me termin dentes, buzët janë labia;në mjekësi thuhet i sëmurë psikik dhe në asnjë mënyrë i çmendur, spital neuropsikiatrik dhe jo çmendinë etj. Një pjesë e madhe e termave janë nga terminologjia ndërkombëtare.
Përkthyesit gjenden shumë më lehtë me leksikun e përgjithshëm, por kanë vështirësi të mëdha në përdorimin e termave.Terminologjia shqipe në disa fusha të veçanta ende nuk është konsoliduar sa duhet apo edhe nuk është standardizuar. Për shkak të specifikave të sistemit juridik, administrativ etj. në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriutpërdoren edhe terma të ndryshme që kanë kuptim të ngjashëm a të përafërt. Përkthyesi përballet edhe me këtë vështirësi të larmisë së përdorimit të termave, përkatësisht të mosstandardizimit të tyre në nivelin kombëtar. Njësimi i termave në shqipen mbetet si një ndër detyrat më të rëndësishme të planifikimit dhe të politikës gjuhësore mbarëkombëtare.
8. Mungesa e fjalorëve terminologjikë
Procesi i përkthimit kalon nëpër tri faza kryesore: faza e parë është leximi dhe analiza e tekstit; faza e dytë është evidentimi dhe paraqitja e termave dhe e nocioneve të panjohura, dhe faza e tretë është kërkimi i barasvlerësve. Studentëve dhe përkthyesve të rinj u rekomandohet që të ndjekin këtë rend pune dhe të mos nisin përnjëherë përkthimin mekanik. Përdorimi i termave është sfida më e madhe e përkthyesve.
Deri më tani janë hartuar disa fjalorë të leksikut të përgjithshëm shqip-maqedonisht e anasjelltas, ku mund të gjejmë të shënuar edhe ndonjë term. Janë botuar edhe disa fjalorë terminologjikë gjuhë e huaj-shqip e anasjelltas, por mungojnë fjalorët e mirë terminologjikë shqip-maqedonisht ose në kahjen tjetër. Për më tepër, përkthyesit nuk duhet të mendojnë se do të gjejnë gjithçka në fjalorë. Një fjalor i mirë duhet t’u përgjigjet kritereve të besueshmërisë, dobisë dhe të jetë sa më shterues. Fjalorët e tillë janë të rrallë ndër ne.
Në kushte të tilla, përkthyesi duhet të jetë i përgatitur t’i përballojë problemet e reja e të shumta dhe nocionet e pahasura më parë. Përkundër përpjekjeve modeste të bëra në hartimin e fjalorëve terminologjikë për fusha të caktuara nga disa autorë, nuk ka përpjekje institucionale për hartimin e fjalorëve të këtij lloji në shqip. Hartimi i fjalorëve terminologjikë të shqipes është detyrë tjetër e rëndësishme në përballjen e shqipes me gjuhët e tjera dhe në sfidat që sjell procesi i globalizimit.
9.Na mungojnë përkthyesit e specializuar
Si në çdo fushë të veprimtarisë, edhe në përkthim ka a) përkthyes të përgjithshëm dhe b) përkthyes të specializuar për një lëmi të caktuar (për fushën juridike, ekonomike, artistike, letrare, …), që mund të jenë specialistë, ekspertë dhe mjeshtër përkthimi.
Është e udhës që përkthyesit të specializohen në një fushë ose në disa fusha të përafërta dhe të formojnë grupet e tyre të ngushta të komunikimit me ekspertë të fushës dhe me gjuhëtarë, në mënyrë që përkthimi të jetë cilësor dhe që të parandalohen problemet e mëvonshme që mund të shkaktohen nga një përkthim i pasaktë.
Aftësitë kryesore të një eksperti përkthyes janë: të qenët analitik, të ketë aftësinë e të menduarit kritik, të lexuarit ndërmjet rreshtave, të zotërojë mjetet gjuhësore të nevojshme për t’u shprehur saktë dhe drejt në secilën nga gjuhët e punës, mundësia për të kuptuar zhargonin dhe terminologjinë e përdorur në tekstin në gjuhën burimore dhe në gjuhën e synuar etj. Mjeshtrat përbëjnë grupin e elitës, gjykimet e të cilëve përcaktojnë rregullat, procedurat, standardet ose idealet.
10.Ngritja e një qendre për trajnimin dhe licencimin e lektorëve të shqipes
Punën e lektorit të shqipes deri më tani e kanë kryer ata që kanë mbaruar fakultetin e gjuhës e të letërsisë shqiptare. Praktika ka dëshmuar se jo të gjithë ata që marrin diplomën e këtij fakulteti janë edhe lektorë të mirë. Nuk kemi asnjë qendër për dhënien e licencës për lektor as në Shqipëri, as në Kosovë e as në Maqedoni. Për licencimin e lektorëve të maqedonishtes ka një qendër të tillë në Fakultetine Filologjisë “Bllazhe Koneski”në Shkup. Lektorët e shqipes do të duhet të punojnë në çdo institucion ku përdoret shqipja ose së paku çdo shkrim në shqip, përfshirë edhe përkthimet, duhet doemos të kalojë nëpër duart e lektorit të autorizuar.
11.Përkthyesit e mirë do të jenë shumë të kërkuar
Në epokën tonë të telekomunikacioneve dhe të internetit, komunikimi shumëgjuhësh është përditshmëri jona. Globalizimi dhe përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, e bëjnë profesionin e përkthyesit shumë të kërkuar. Përkthimi nga maqedonishtja në shqip e anasjelltas është zgjeruar mjaft dhe do të zgjerohet edhe më tej me Ligjin për Zbatimin e Gjuhëve, me vajtje-ardhjet Shqipëri, Kosovë – Maqedoni, komunikimin dhe bashkëpunimin institucional të Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë e Kosovën. Andaj,edhe pse tani përballen me shumë vështirësi, përkthyesit dhe interpretuesit e mirë do të jenë mjaft të kërkuarnë tregun e punës.
Për të siguruar përkthime cilësore, përballjen e shqipes me gjuhët e tjera më të lëvruara do të na duhet shumë punë për të bërë. Këtë shqipe të fituar me gjak e me djersë duhet ta ruajmë edhe ne, si dhe t’ua lëmë trashëgim pasardhësve tanë, si elementin më të rëndësishëm të qenies sonë kombëtare. Po të jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi ndaj paraardhësve tanë si dhe obligimin që kemi ndaj brezave që vijnë, do të dimë çfarë qëndrimi duhet të kemi e çfarë duhet të bëjmë për gjuhën shqipe. Nëse nuk mund të bëjmë më shumë për shqipen, atëherë së paku të mos e harrojmë, shpërfillim, përziejmë, shtrembërojmë, ndotim e prishim.
Kemi trashëgimi të pasur materiale e shpirtërore, të cilat duhet t’i ruajmë, t’i kultivojmë, t’i pasurojmë e t’i përditësojmë. Meqë kemi tokën tonë shumë pjellore (shqipen), të trashëguar për mijëra vjet nga paraardhësit tanë, atë duhet ta lëvrojmë, ta ujisim, mirëtrajtojmë e mirëmbajmë dhe toka jonë (shqipja) do t’i plotësojë të gjitha nevojat tona. Atë që do të na mungojë (e nuk mundemi pa të) do ta marrim nga të tjerët.
Do të jemi të hapur me të gjithë popujt, gjuhët e kulturat e botës. Për sa i përket terminologjisë, thotë prof. Gjovalin Shkurtaj, të gjitha gjuhët marrin terma e fjalë nga gjuhët e tjera, sidomos nga anglishtja dhe gjuhët e mëdha të Evropës, porse shqipja po merr më shumë. Një pastrim patjetër që mund dhe duhet të bëhet.
Në gjuhë, p.sh. përparësi duhet t’u japim elementeve anase të shqipes, mandej ndërkombëtarizmave si dhe huazimeve që tani më janë mishëruar në shqipen. Ka edhe shumë fjalë të huaja që nuk e kanë fituar ende statusin e qytetarisë (shtetësisë) në shqipen e që lehtësisht mund të zëvendësohen me fjalë që i ka ose me fjalëkrijime të reja.
Në gjuhësi janë të njohura rrugët e pasurimit të leksikut: nga leksiku popullor, nga veprat letrare, nga mundësia e pashtershme e krijimit të fjalëve të reja me brumin e vetë gjuhës e me mënyra të shumta fjalëformimi (me parashtesim, prapashtesim, parashtesim e prapashtesim njëherazi, nyjëzim, kompozim, përngjitje etj.). Edhe përkthyesit e mirë mund ta pasurojnë shqipen me fjalë, shprehje, terma, frazeologji librore e me struktura të reja sintaksore.
Përkthyesi duhet ta bëjë punën në mënyrën më të mirë të mundshme, me shumë vullnet, përkushtim, ndërgjgje, kujdes e përgjegjësi. Përkthimi i keq sjell keqkuptim, mosmarrëveshje dhe e prish gjuhën; ndërsa përkthimi i mirë sjell komunikim korrekt, mirëkuptim, harmoni e paqe midis njerëzve dhe e pasuron gjuhën.
Do të bëhen mjeshtër përkthimi ata që flasin dy gjuhë që në fëmijëri, do të përcaktohen që në rini për profesionin e përkthyesit, do të kenë arsim cilësor, do të arrijnë nivel të lartë kompetence gjuhësore të të dy gjuhëve, do të lexojnë e studiojnë me përkushtim, do ta duan këtë profesion fisnik, do ta kenë të zhvilluar të menduarit kritik e krijues, do të zotërojnë aftësinë e shkrimit akademik dhe do të jenë të gatshëm të përballen me të gjitha sfidat e kësaj veprimtarie intelektuale.
Si lindi Dita Ndërkombëtare e Përkthimit?
Prej vitit 1991, data 30 shtator njihet botërisht si Dita Ndërkombëtare e Përkthimit. Kjo si një homazh ndaj Shën Jeronim-it, përkthyesit të Biblës, i cili konsiderohet si shenjti mbrojtës i përkthyesve.
Përzgjedhja e datës 30 shtator përkon me ditën e vdekjes së shenjtit, në vitin 420. U njoh si e tillë falë idesë së FIT (Federata Ndërkombëtare e Përkthyesve), e cila hodhi idenë e një dite të njohur zyrtarisht mbi përkthimin. Sipas FIT, kjo ditë tregon solidaritetin e komunitetit të përkthimit në mbarë botën në një përpjekje për të promovuar profesionin e përkthimit në vende të ndryshme (jo domosdoshmërisht vetëm në ato kristiane).
Kjo është një mundësi për të shfaqur krenarinë në një profesion që është duke u bërë gjithnjë e më thelbësor në epokën e globalizimit.
Shën Jeronim-i, i njohur me emrin latin Sophronius Eusebius Hieronymus u lind në vitin 347, në Stridon të Dalmacisë dhe vdiq më 30 shtator 420 në Betlehem. Ishte at i kishës dhe teolog. Ai u shpall mësues kishe nga Vatikani dhe njihet si përkthyesi i Biblës nga greqishtja dhe hebraishtja në latinisht. “Vulgate” e Shën Jeronimit ende edhe sot është një tekst i rëndësishëm i Kishës Katolike Romake.
Shën Jeronim-i në traditën artistike të Kishës Katolike Romake paraqitet zakonisht si mbrojtës i mësimit teologjik dhe si kardinal përkrah ipeshkvit Augustin, kryeipeshkvit Ambrozit dhe Papa Gregorit I.