Ligji për edukimin mediatik do të ishte mjet parandalues i devijimeve që prodhon xhungla e pakrasitur e internetit dhe mediave të reja
Nga Emin AZEMI
Ditëve të fundit po dëgjojmë se Qeveria po përgatitet për një strategji të re mediatike, e cila do të parandalonte vërshimin e lajmeve të rrejshme në hapësirën e këtushme informative, sidomos nëpër portale, të cilat funksionojnë pa ndonjë standard të mirëfilltë profesional.
Në anën tjetër, koncepti për shkollën si “magazinë e dijës” sot gjithkund në botë po braktiset dhe në vend të kësaj po promovohen forma të reja të mësim-nxënies, duke e bërë më funksionale lidhjen në mes të dijeve skolastike dhe praktikës. Nevoja e përfshirjes së Edukimit mediatik, si lëndë e obligueshme në kuadër të planprogrameve të reja mësimore, nuk do të duhej të ishte vetëm një projekt ligjor, ende i munguar, por edhe domosdoshmëri që nxënësit e sotëm, të cilët nesër do të jenë qytetarë të denjë me obligime e përgjegjësi shoqërore, të arrijnë të identifikojnë manipulimin mediatik dhe në mënyrë autonome të ndërtojnë qëndrime e pikëpamje pa qenë të ndikuar domosdoshmërisht nga mediat.
Një Ligj që do të rregullonte sferën e përdorimit të mediave, do të ishte më se i nevojshëm edhe për faktin se shoqëritë e zhvilluara nuk ua lënë individëve që në mënyrë pavarur dhe josistematike të merren me përvetësimin dhe avancimin e shkathtësive për të analizuar efekteve që kanë mediat në jetën tonë të përditshme. Ky, mbi të gjitha është obligim institucional e kompetent që rregullon në mënyrë të drejt e profesionale të kontestit shoqëror, teknologjik, argëtues, informues të mediave në jetën e njeriut, sidomos të moshave më të reja.
Sfidat që po vijnë si rezultat i përparimit teknologjik, nuk kanë lënë pa prekur edhe arsimin, kurse më të goditurit ndaj këtyre sfidave janë nxënësit. Interneti sot është bërë vegla e kudondodhur dhe tundimi që prodhon ai është i papërballueshëm, nëse nuk krijohen paraprakisht mekanizma që do ta zbutnin shkallën e ndikimit pa kriter të nusuprodukteve që nxjerr interneti (rrjetet sociale, reklamat, blogjet etj.)
Sikundër dihet, Edukimi mediatik nxit dhe zhvillon disa shkathtësi : teknike (aftëson qasjen ndaj mediave), kritike ( të kuptuarit e përmbajtjeve mediatike, të aftësuarit e interpretimit të tyre dhe vlerësimin kritik) dhe praktike (aftësia e të kuptuarit të porosive mediatike).
Ndërkaq, objekt shqyrtimi i edukimit mediatik do të ishin: përmbajtjet e dëmshme mediatike (dhuna, reklamat, pornografia), ndikimi i mediave dhe përmbajtjet e dëmshme, rregullimi dhe vetërregullimi (konventat, kornizat ligjore dhe kodet etike gazetareske dhe reklamuesit), pastaj teknologjitë e reja dhe roli i tyre shoqëror, industrializimi i informacionit, kultura dhe argëtimi, komunikimi interaktiv, zhanret e reja mediatike, siç është blogu etj.
Edukimi mediatik ishte definuar si nocion dhe si përmbajtje qysh në Konferencën ndërkombëtare (National Leadreship Conference on Media Literacy, 1992) që nënkuptonte “aftësinë e qasjes, analizës, vlerësimit dhe transmetimit të porosive përmes mediave).
Nëse i bëjmë një interpretim të lirë fushëveprimit që do të kapte Edukimi mediatik, të pashmangshme do të ishin temat që kanë të bëjnë me përvetësimin e shkathtësive kreative dhe kritike, gjegjësisht dijeve që ndihmojnë lidhshmërinë e ideve komplekse, si dhe identifikimi i dilemave që janë në themelet e lirive njerëzore e intelektuale. Ky përkufizim mbi edukimin mediatik nuk lë mangët edhe komponentën mjaft të rëndësishme që kanë mediat si burim informacioni e argëtimi, për të cilat duhet patur njohuri e shkathtësi.
UNESCO, madje, qysh në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar kishte inicuar idenë e edukimit mediatik. Duke e bazuar idenë në rëndësinë që kanë mediat në jetën e individit dhe të familjes, ishte kërkuar që në nivele ndërkombëtare të mblidhen studiues për të shqyrtuar mundësinë e përfshirjes së edukimit mediatik në sistemin arsimor në të gjitha shtetet e zhvilluara dhe më pak të zhvilluara. Për rrjedhojë, ishte nënshkruar edhe Deklarata mbi edukimin mediatik (Declaration of Media Education) në vitin 1982, ndonëse që nga nënshkrimi i kësaj Deklarate e deri më sot koncepti mbi edukimin mediatik deri-diku ka ndryshuar, varësisht prej sfidave dhe konteksteve nëpër të cilat kalojnë shoqëritë. Maqedonia e Veriut, gjithsesi, nuk është imune ndaj këtyre sfidave, kurse Ligji për edukimin mediatik do të ishte mjet parandalues i devijimeve që prodhon xhungla e pakrasitur e internetit dhe mediave të reja. (koha.mk)