Po jetojmë në kohën kur epërsia ndaj rivalit politik tek maqedonasit, tash e tutje do të arrihet në saje të diferencës që do ta krijojnë votat e shqiptarëve. Por, sa votuesit shqiptarë janë vetëdijesuar për peshën e votës së tyre, dhe në çfarë forme ata e shprehin vullnetin e tyre politik?
Nga Emin AZEMI
Te ne më shpejt reformohen votuesit apo partitë politike? Ose kush e nxit reformimin e tjetrit, partitë e reformojnë votuesin, apo anasjelltas – votuesit i reformojnë partitë politike?
Është vështirë të marrim përgjigje të shpejta në këto pyetje, nëse nuk i bëhet një analizë e përimtë gjithë procesin nëpër të cilin kalon formimi politik e shoqëror i qytetarëve.
Në zgjedhjet (e parakohshme) parlamentare të radhës, që do të mbahen më 15 korrik, elektorati dhe partitë politike do të shkojnë me shumë dilema e paqartësi.
Dilema e parë që e ndjek votuesin te ne është arsye se pse ai duhet të votojë. Nëse zgjedhjet sjellin ndryshimin, ato mund të jenë më motivuese, mirëpo kur ato sjellin apatinë, gjegjësisht kur pushtetit i dalë nga zgjedhjet vazhdon agoninë e pushtetit pararendës, atëherë votuesi e ka vështirë të besojë se premtimet parazgjedhore mund të bëhen realitet.
Zgjedhjet e fundit që u mbajtën para tri vjetëve, që sollën në pushtet LSDM dhe BDI, për nga karakteri dhe rëndësia, prodhuan shumë elan tek votuesit, të cilët me shumë vullnet iu drejtuan kutive të votimit, duke kërkuar ndryshimin, si alternativë të vetme që do të shkulte nga skena politike një pushtet të korruptuar dhe shumë problematik në disa plane.
Mirëpo pritjet e votuesve që kërkuan ndryshimin, nuk u realizuan në plotninë e tyre, për arsye se kauzat politike që dolën nga ‘bombat’ e Zaevit, më tepër shërbyen për të sjellë atë në pushtet, se sa për të bërë ndonjë ndryshim krucial. Sukseset e kryeministrit aktual nuk janë gjithaq të perceptueshme për votuesit e thjeshtë, për arsye se kërkesat e tyre shkojnë përtej pragmatizmit politik. Natyra e këtyre sukseseve nuk ka prodhuar mirëqenie sociale e ekonomike për votuesit, dhe këtyre të fundit, bazuar edhe në anketat që janë bërë, shumë pak iu bën përshtypje ndryshimi i emrit të shtetit që solli Marrëveshjen e Prespës.
Shikuar nga ky prizëm mundësia e Zaevit për të rikthyer besimin tek elektorati maqedonas, është një sfidë bukur e madhe, dhe atij iu imponua domosdoshmëria e bashkëpunimit parazgjedhor me shqiptarët, qoftë si subjekte politike, qoftë si individë apo grupe qytetare. Pra, po jetojmë në kohën kur epërsia ndaj rivalit politik tek maqedonasit, tash e tutje do të arrihet në saje të diferencës që do ta krijojnë votat e shqiptarëve. Në Maqedoni në të kaluarën ka pasur mundësi të formohen qeveri edhe pa shqiptarët, nëse merret parasysh matematika e jo pragmatika, por tash e në të ardhmen, kjo mundësi gati është e pamundur. Jo pse subjektet politike maqedonase këtë e bëjnë nga dëshira, por nga nevoja.
Por, sa votuesit shqiptarë janë vetëdijesuar për peshën e votës së tyre, dhe në çfarë forme ata e shprehin vullnetin e tyre politik?
Koalicioni i tanishëm i Lëvizjes Besa me LSDM-në është përpjekja e parë më serioze e bashkëpunimit politike parazgjedhor mbi baza etnike, por ende është herët të flasim për efektet e këtij bashkëpunimi. Parasëgjithash duhet parë se si erdhi deri te ky bashkëpunim dhe sa janë të natyrshme bashkëpunime e tilla për të prodhuar një efekte më të madh postzgjedhor.
LSDM në të kaluarën ishte në bashkëqeverisje me partitë shqiptare dhe ky bashkëpunim parazgjedhor me Lëvizjen Besa nuk do të konsiderohej ndonjë befasi nga ata që bashkëpunimin politik shqiptaro-maqedonas e shohin në suaza të pragmatizmit dhe taktizimeve të ndryshme.
Befasia do të ishte sikur ky bashkëpunim politik shqiptaro-maqedonas do të bëhej me çmimin e uljes së pazarit politik, duke iu dhënë faktorëve politik maqedonas të drejtën që ti vendosin në listën e prioriteteve çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët. Nëse ndodhë kjo, që prioritetet shqiptare t’i vendosin partitë s maqedonase, kurse bashkëpunimi politik shqiptaro-maqedonas të bëhet duke miratuar këto prioritete, atëherë e ardhmja politike e këtij shteti do të ballafaqohet me kriza të njëpasnjëshme.