Librat duhet të kenë dizajn modern, linja të pastra didaktike. Ai nuk guxon të ketë mangësi dhe të meta materiale, përmbajtësore, profesionale, shkencore, gjuhësore e drejtshkrimore, informacione jo të sakta e të ngjashme. Libri duhet riorganizuar duke pasur në qendër nxënësin që mëson
Nga Xheladin MURATI
Libri shkollorë është i përzgjedhur dhe ai është ndryshe nga librat e tjerë sepse është një mjet ndihmës që ofron ngrohtësi dijesh. Ai i ngjanë një apartamenti apo restoranti me dyer e dritare, me ballkone e korridore, me ambiente ndenjëse, tualet e dhoma gjumi, sallon e bibliotekë etj. Sepse aty gjesh vend ku ndalesh, pushosh, observosh, argëtohesh, mësosh. Ka shumë faktor që e përcaktojnë misionin, funksionin dhe rolin e librit shkollor. Ai pasqyron në një farë mënyre vlerën e punës pedagogjike. Rrjedhimisht edhe puna e autorit në hartimin e librit kërkon eksperiencë dhe reputacion, sepse është arkitekt i përmbajtjeve të librit. Autorët duhet të kenë dy elemente parasysh për hartimin e librit shkollorë: 1. Sapo të keni vendosur hartimin e librit, gjeni pak kohë, hartojeni një plan – koncept veprimi dhe 2. Caktoni objektivat specifike dhe reale për secilën përmbajtje dhe librin në tërësi.
PREMISAT: Koncepti i profesionalizmit dhe në përgjithësi këndvështrimi profesional i librit shkollor dhe hartimin e përmbajtjes së tij për mësim bashkëkohor kërkon një qasje, pamje dhe strukturë të re. Ndryshimet në rolin dhe funksionin e tij domosdoshmërisht kërkojnë dhe imponojnë ndryshime edhe në hartimin e tij. Për të trajtuar rolin e librit shkollor sot nisem nga tre premisa kryesore:
- Libri qëndron në pozicionin e dikurshëm (ofron dije dhe edukim), vetëm se i reformatuar.
- Libri shkollorë duhet riorganizuar me pajisje të reja për të bërë të mundur reflektimin e dijes tek nxënësit.
- Ndërhyrja më e rëndësishme në librin shkollor ka të bëjë me atë që detyron programi mësimor dhe realiteti shoqëror.
QASJE DHE ASPEKTE: Teksti mësimor apo thjesht libri shkollorë është adresa e parë, veçanërisht për nxënësit, jo vetëm për informacionet dhe të dhënat që ofron, por se i plotëson të gjitha kushtet, duke nisur nga pastërtia gjuhësore, informacionet objektive e të verifikuara që ka, duke i renditur ato sipas kërkesave metodologjike të njohjes mësimore, por edhe për vlerat pedagogjike, të cilat janë në funksion të zhvillimit intelektual, social, emocional e të ngjashme.
Ç’është libri? Libri është një thes me shkronja, ide e dije ku vizitori (nxënësi) kërkon të zbuloj sekretet që i fsheh dhe ato ti mësoj me kujdes. Dhe jo vetëm kaq. Libri është si një restorant. Lexuesi është mysafir në libër. Por ai kërkon që libri të dallohet si restoranti, pra të dallohet me elegancë, me dekor, me ngjyra të larmishme, me tavolina dhe karrige moderne, ku harmonizohen të gjitha detajet e përzgjedhura në funksion të qëllimeve të caktuara.
Dhe për të hartuar një libër mësimor autori duhet të mendon për të gjitha detajet, çdo gjë duhet venduar në mënyrë perfekte e përshtatur me lëndën mësimore dhe aftësitë logjike të nxënësit. Përmbajtja kryesore që duhet të mbretërojë në atë libër duhet të zbukurohen me elemente përcjellëse. Pra libri duhet të jetë një oazë elegante e gërshetuar me dije, informacione, ilustrime, skema e skica që krijojnë harmoninë e dijeve dhe arkitekturën mësimore. Lexuesi (nxënësi) do të mbetet në të jo si mysafir e vizitor por si mik i përhershëm. Pra mënyra si dizajnohen librat është shumë e rëndësishme Është e sigurt, se nuk ka ecje përpara pa vlerën bazë të librit mësimor.
Libri shkollor nuk është thjesht vetëm një tekst mësimor apo një burim diturie, i cili i josh nxënësit, është një burim dije me një arkitekturë pedagogjike që realizon më shumë funksione si pedagogjike, edukative, njohëse, logjike, etike, estetike e të ngjashme. Duhet të theksoj se potenciali i librit nuk qëndron vetëm tek informacionet, por gjithashtu edhe tek vlerat që ai ofron. Prandaj unë jam i bindur se në të ardhmen do të mund të zhvillojmë edhe më fuqishëm librin e shkruar përkundrejt librit digjital apo elektronik, i cili në shumë aspekte ka përparësi të cilat nuk duhet harruar e injoruar.
Janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e strukturës së librit, përmbajtjes së tij, gjuhës që reflekton, objektivitetit që duhet të shpreh. Por megjithatë, në librat shkollorë për nxënësit shqiptar hetohen edhe shumë mangësi e të meta në disa sish si në histori, gjeografi, matematikë, gjuhë, arsim muzikor, arsim figurativ etj. Këto mangësi, lëshime me ose pa qëllim reflektojnë në përmbajtje, në trajtimin e problemit, në objektivitet, në kuptime, në shtrembërime të kuptimeve e fakteve etj. Njëherit ka shumë gabime në përkthime të librit shkollor nga autor maqedonas e të tjerë ku historia kombëtare dhe ajo kulturore nuk trajtohen objektivisht dhe realisht.. Mendoj se shqiptarët kanë krijuar kapacitet dhe potencial intelektual për të qenë autor librash. Përkthimet ti mbeten të kaluarës.
Lëshimet apo mangësitë e tilla kanë pasoja reale dhe konceptuale që reflektojnë në formimin e vetëdijes dhe ndërgjegjes te nxënësit dhe njëherit formojnë pikëpamje të shtrembëruara. Prandaj duhet pasur kujdes në hartimin e tyre për shumë arsye por mbi të gjitha për arsye që nxënësit mos e braktisin librin, që libri mos krijon dezinformata, që libri të ofroj dituri cilësore, solide, objektive, të verifikuara etj. Nuk e shoh librin vetëm si mjet ndihmës mësimor, por edhe si vlerë pedagogjike – njohëse, shoqërore e kulturore dhe për t’u respektuar e për t’u ruajtur në kujtesë. Libri duhet të jetë faktor zhvillimi të dimensioneve të nxënësit si atë intelektual, moral, etikë, estetik, social etj.. Prandaj duhet menduar për prioritetet në hartimin e librit. Çdo libër duhet të kontribuoj në disa aspekte zhvillimore si: zhvillimin e nxënësit, formimin e nxënësit dhe vetëformimin e nxënësit.
Hartimi i librit duhet të mbështetet në tre parime bazë: 1. Në edukim, arsimim dhe zhvillim, 2. Në sistematizim dhe afirmim të vlerave dhe 3. Në rregullsi.
Pa libër të mire shkollorë, përmbajtësor dhe funksional nuk mund të imagjinohet zhvillimi i drejt, formimi dhe vetëformimi i nxënësit. Prandaj ai meriton më shumë trajtim pedagogjik dhe psikologjik. Hartimi i një libri i cilësdo fushë apo lëndë mësimore qoftë kërkon më shumë bashkëpunim të autorëve dhe ai do të jetë funksional nëse do të ketë infrastrukturë didaktike-metodike, përmbajtje dhe ide për të përmbushur kërshërinë e nxënësve dhe obligimet e programit mësimor. Hartimi i librit është një angazhim dhe përkushtim shumë sfidues. Ai është një kontribut dinjitoz që autori jep për të mësuar të tjerët.
Libri mësimor për shkollën e shekullit 21 duhet të ofron një model të ri zhvillimi, qoftë në mënyrën sesi funksionojnë gjërat, ashtu edhe në aspektin e realizimit të projekteve mësimore. Në këtë kontekst libri duhet të jetë atraktiv dhe të paraqes tërësinë e vlerave që garantojnë qëndrueshmërinë zhvillimore. Pra, nxënësi nuk duhet të jetë vetëm lexues i mirë i librit, por të dijë të flas për librin e lexuar, librin jo vetëm ta shfletojë por ta përtyp dhe gëlltit atë që lexon nga libri. Kjo mbase në libër ruhet mençuria dhe eksperienca botërore.
Libri i sotëm shkollor dhe gjithë librat tjerë që quhen libra fizik janë nën trysninë dhe ndikimet e mëdha të teknologjisë dhe botimeve elektronike , të cilat kohët e fundit janë mjaft të kërkuara dhe lehtë gjenden. Megjithatë libri fizik konsiderohet si i pazëvendësueshëm dhe jep kënaqësi më të mëdha. Libri elektronik e zbeh librin fizik dhe është vështirë që ky i fundit ti qëndroj konkurrencës së të parit. Në fakt teknologjia po e zbeh librin fizik dhe rolin që ka pasur dikur në jetën e lexuesve dhe nxënësve. Madje zhvillimi i teknologjisë në të ardhmen do të zhvilloj audio-libër i cili do të jetë një përmbajtje e regjistruar në mënyrë digjitale dhe teksti do të lexohet nga autori apo profesionist tjetër me zë të adaptueshëm për nxënësit.
Me zhvillimin e shoqërisë së sotme përkatësisht shoqërisë digjitale, edhe kërkesat për librin shkollor fizik rriten dhe ashpërsohen. Njëherësh digjitalizimi i arsimit kërkon përgatitjen e mësuesve për mësimdhënie dhe mësimnxënie digjitale. Libri shkollor duhet të jetë modern e me stil dinamik, duke mësuar nga ai, nxënësi të përballet me parametrat e jetës. Ai duhet të dallohet me një profil të nxënësit të suksesshëm, i cili ecë mes sfidave dhe ambicieve, aftësimit dhe arritjeve profesionale. Në këtë kontekst diversiteti kulturor, distancat jetësore dhe konceptet që e formojnë infrastrukturën dhe arkitekturën e librit kërkojnë strategji të reja pedagogjike e teknologjike në hartimin e tij.
Kurrë nuk mjafton përpjekja për të avancuar pozitën dhe cilësinë e librit mësimor të nxënësit. Avancimi dhe përmirësimi i cilësisë së librit varet nga shumë elemente që duan kohë për t’u ndryshuar e përmirësuar. Për shembull një prej tyre që meriton vëmendje më të madhe është forcimi i aspektit pedagogjik, profesional, gjuhësor dhe material. Por ajo që është më e rëndësishme qëndron në faktin se libri duhet të krijoj kushte dhe të jetë në funksion të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Gjithashtu sipas mendimit tim libri duhet të përfshijë si kompetenca ndërkulturore dhe të mundësoj komunikimin me botën e jashtme dhe të brendshme të nxënësit. Sepse aftësitë për komunikim me librin janë faktor shumë të rëndësishëm që duhet ti ketë për bazë hartuesi i librit.
PËRFUNDIM: Nga sa thamë më lartë del të konkludoj me sa vijon: Së pari, hartimi i librit duhet projektuar sipas parimeve dhe nevojave tërësisht të ndryshme, sipas rrethanave të reja dhe kërkesave të mësimit bashkëkohor. Së dyti, librat duhet të kenë dizajn modern, linja të pastra didaktike. Ai nuk guxon të ketë mangësi dhe të meta materiale, përmbajtësore, profesionale, shkencore, gjuhësore e drejtshkrimore, informacione jo të sakta e të ngjashme. Së treti, libri duhet riorganizuar duke pasur në qendër nxënësin që mëson. (koha.mk)