Bujar KURTAJ
Shkup, 28 tetor – Nga pesë përballjet që janë paraparë të zhvillohen, më interesante pritet të jetë në Prilep, ku skuadra e Pobedës do të pret liderin aktual Shkëndijën. E gjithë kjo për faktin se skuadra e Pobedës kur luan si nikoqir është një kundërshtar i papërshtatshëm, ndërsa këtë më së miri e din kampioni aktual Vardari, e cila u mund javën e kaluar me 1-0. Ndryshe edhe Pobeda, por edhe Shkëndija në xhiron e kaluar e cila u zhvillua në mesjavë, pësuan disfata, kështu që alternativë e të dyja skuadrave do të jetë fitorja, derisa për Pobedën edhe barazimi do të ishte rezultat i mirë, duke marr parasysh forcën e kuqezinjve. Mesfushori i Shkëndijës Armend Alimi në prag të kësaj përballje thotë se Pobeda është një skuadër e cila kohëve të fundit u ka shkaktuar problem, por duke e ditur kualitetin që posedon skuadra e tij, ai është optimist se në Mogilë mund të marrin rezultat pozitiv. “Na pret ndeshje e vështirë me Pobedën të cilët kohëve të fundit kanë ditur të na shkaktojnë problem. Mirëpo, ne e dimë se kemi kualitet më të madh se ata dhe besojmë në potencialin tonë për të marrë rezultat pozitiv në Mogila. Ajo që ndodhi me Akademia Pandevin nuk duhej të ndodhë, mirëpo nëse shohim mirë ne humbëm duke kërkuar fitoren dhe duke dominuar ndeshjen. Nuk besoj se mund të ndodhë dy herë me radhë që të kemi fatin kundër ndesh dhe të mos shfrytëzojmë gjithë ato raste shënimi, kështu që jam i mendimit se tani ne do të bëjmë reagimin e duhur për tu kthyer në rrugën e suksesit”, deklaroi për KOHA, Armend Alimi.
Ndryshe, përballja tjetër interesante do të zhvillohet në arenën “Filipi i dytë” në Shkup ndërmjet Rabotniçkit dhe Shkupit. Dy skuadra që gjithmonë kanë ofruar futboll cilësor në “Filipi i dytë”, derisa të dyja skuadrat vijnë në një atmosferë pozitive pas fitoreve që i arritën në mesjavë ndaj Pobedës respektivisht Vardarit. Lajm i mirë për trajnerin e Shkupit Ardian Nuhiu është rikthimi në ekip i Emanuel Mbella, i cili për shkak të kartonit të kuq ndaj Akademia Pandev nuk luajti në dy ndeshje. Pikërisht Mbella beson se rikthimi i tij është bërë në kohën e duhur dhe kontributi i tij do të jetë i pashmangshëm në këtë duel. “Skuadra e Shkupit pas fitores ndaj Pobedës do të ketë një tjetër përballje shumë të vështirë, duke luajtur ndaj Rabotniçkit, skuadër kjo që është futur në super formë. Mendoj se edhe tek grupi jonë tani është kthyer vetëbesimi, por në këtë ndeshje duhet të futemi me shumë agresivitet dhe seriozitet maksimal për të marrë rezultat pozitiv dhe pse jo edhe tre pikë. Kam punuar mirë dhe janë në formë të duhur dhe mendoj se kthehem në kohën e mirë për të ndihmuar skuadrën për suksesin e radhës”, deklaroi Mbella.
Ndërkohë, kampioni aktual Vardari pas disfatës nga Rabotniçki do të jetë mysafire e Sileksit në Kratovë. Të përzgjedhurit e trajnerit Çede Janevski kanë një seri negative ku kanë pësuar disfatë në tre përballjet e fundit, andaj fitorja në këtë përballje për ata është më se e nevojshme.
Derisa, ndeshja e cila gjithashtu zgjon interesim të madh është ajo mes Renovës dhe Akademia Pandev, e cila është edhe befasia e sezonit. Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 13.30.
Dyshet:
E shtunë
Renova – A.Pandev
E diel
Skopje – Pelisteri
Sileksi – Vardari
Rabotniçki – Shkupi
Pobeda – Shkëndija