Edukata është Ligji i tërheqjes e cila e ndikon perspektivën e individit por nuk e perfeksionon atë. Ajo nuk ka afat skadimi. Prandaj profesioni i edukimit kërkon një përkushtim e vullnet më të madh në mënyrë që të realizohen objektivat e projektuara pedagogjike. Nuk ka justifikim për mungesën e edukatës, kjo është evidente tek ne
Nga Xheladin MURATI
Në shoqërinë demokratike edukata, shkolla dhe pedagogjia marrin një konceptim të ri. Vendi, roli dhe funksionet e tyre ndryshojnë. Ndryshojnë gjithashtu raportet e tyre me shoqërinë dhe institucione të saj. Prandaj lind e zhvillohet një problematikë e re edukative, sociale, arsimore. Kjo problematikë e re kërkon të studiohet e të njihet mire.
Kuptimi i edukatës është i lidhur shumë ngushtë me konceptimin dhe praktikën e edukimit në rrethana të reja. Mësuesit bëjnë një grup profesional të mirëfilltë që merren me edukimin e brezit të ri. Edukimi është puna më këmbëngulëse dhe më e çmuar që njeriu ia jep vetes për të kuptuar vetveten dhe të tjerët. Edukata kërkon një shkallë të lartë bindjeje dhe besnikërie mbase neutraliteti është i dëmshëm, prandaj mësuesi, edukatori duhet të jenë realist dhe përkushtues në edukim. Në fakt, edukimi është gjëja më fisnike që e bëjnë mësuesit. Megjithatë, pavarësisht rëndësisë dhe vlerës së edukimit, mungesa e edukatës është kudo. Në rrugë, në televizion, në familje, në skemën politike, në mediat sociale, në shkollë e institucione të tjera. Kaloi koha e kritereve dhe vlerave, duhet shumë mund e punë për rikthimin e tyre.
PREMISAT
Për të trajtuar temën kemi parashtruar premisat vijuese: 1. Edukata është lënë në margjinat e shoqërisë, duhet të jetë në qendër të saj. 2. Në kohën e sotme me rritjen e teknologjive informative edukata dukshëm është devalvuar. 3. Nuk ka justifikime apo rrugë të lehtë në edukim, merreni si forcë pozitive e shtytëse. 4. Edukata nuk është aventurë e mendjes, por nevojë e njeriut – mos ngurroni të edukoni kudo që të jeni.
QASJET DHE ASPEKTET
Pedagogjia është shkenca mbi edukatën, ajo është shtyllë në të gjitha proceset e edukimit institucional. Njohuritë, kompetencat dhe shkathtësitë e bëjnë atë prijëse në menaxhimin e punës edukative. Ajo që nuk do të ndryshoj asnjëherë është misioni i pedagogjisë dhe edukatës: të hulumtojë, të provokojë dhe të frymëzojë bartësit e procesit të edukimit, të hap shtigje në udhëkryqet ku përmbajtja dhe forma takohen. Edukimi është proces i rëndë. Kjo është një e vërtetë e dëshmuar, madje është një e vërtetë nga më të vërtetat. Dhe këtë të vërtetë nuk duam ta pranojmë. Edukimi është përcaktimi i nevojave dhe proces i përgjithshëm, i cili kërkon të realizohet me mençuri e shkathtësi dhe me dashuri e respekt ndaj nxënësit, fëmijës.
Ndryshimet e thella që ndodhën në fushën e edukimit janë një sfidë e vërtetë për pedagogët dhe profilet arsimore (edukator, mësues) në shoqërinë tonë. Në shoqërinë demokratike edukatën dhe organizimin pedagogjik të institucioneve të edukimit duhet ta ndjekin rrugën përforcimit të edukatës dhe fuqizimin e saj në përputhje me vlerat e reja të zhvillimit të shoqërisë. Edukimi edhe pse është proces i vështirë s’lejon gabime. Është proces esencial pedagogjik me objektiva të mëdha njerëzore e kombëtare.
Në rrethana aktuale edhe veprimi i faktorëve të ndryshëm si arsimor, kulturor, ekonomik, politik etje ulin peshën e edukatës, edukata nuk e ka atë forcë e peshë si më parë. Koha është në kthesa të mëdha shoqërore dhe kjo implikon faktin se ndryshon rrënjësisht edukata. Vetë edukata vihet në kërkim të gjetjes së vetvetes, si një faktor për të garantuar perspektivën e njeriut, në kushte të ndryshme edhe ajo është në adaptim funksional.
Edukata është fenomen që krijon marrëdhënie të përhershme mes njerëzve, jo të kufizuara në kohë. Edukata ndërton marrëdhënie me qëllime të njohura, në radhë të pare dhe kryesisht, në funksion të njeriut e të shoqërisë.
Pra edukata është para sfidave të mëdha. Në kërkim që ta kthej rolin bazik të saj kjo përballet me sfida të shumta. Kjo ndodh edhe për faktin se është i pranishëm zvetënimi i predispozitave qytetare e atdhetare, është e pranishme ndjenja e indiferentizmit shoqëror dhe e këndë vështrimeve tepër individualiste të jetës, shoqërisë dhe problemeve të edukimit të njeriut.
Sot edukata përballet me shumë faktor. Njëri nga faktorët është mungesa e kulturës së përgjithshme dhe e dyta, mungesa e kulturës pedagogjike. Kultura e veçantë pedagogjike është një atribut i rëndësishëm që e veçon pedagogun e mirëfilltë nga njerëzit që punojnë në veprimtaritë edukative. Kjo kulturë shtrihet edhe në format e veçanta në të cilat ata duhet të formulojnë e artikulojnë njohjet e tyre profesionale e shkencore-pedagogjike benda kuadrit pedagogjik të shkollës dhe institucioneve të tjera ku realizohet procesi i edukimi.
Në kushte të këtilla jo vetëm që ndodh një farë humbje peshe e edukatës, në kuptimin e largimit të saj nga njerëzit, nga familja, nga shkolla, ajo fillon të anashkalohet, të mospërfillet, të injorohet, nuk i jepet kujdesi i merituar, mohohen vlerat që ajo përçon. Me këtë shpjegohet fakti se në dekadat e fundit, në të vërtetë me kalimin në proceset demokratike e shoqërinë pluraliste, në zhvillimet e vrullshme politike dhe sociale ndodh mungesa e edukatës, e motivuar me arsye të ndryshme, por që në fund të fundit konvergjon me mungesën serioze të qasjes ndaj saj dhe vlerave që ajo përçon. Kësisoj anashkalohen faktor kompleks dhe kriteret e vërteta të edukatës.
Në edukim nuk duhet indiferentizëm. Edukata është sfiduese. Mungesa e saj krijon dhimbje, tronditje, vuajtje, provokime. Këto dhe probleme të ngjashme kërkojnë përballje. Kjo përballje kërkon fuqizimin e edukatës. Edukimi i drejt dhe funksional zbulon strategji të reja dhe kapërcen pengesa dhe duke u edukuar kështu rendet drejt përparimit e zhvillimit. Ngritja e nivelit të edukatës është burimi i qetësisë. B. Franklin ka thënë: “Ndodhitë që të lëndojnë, janë edukative”
Në kërkim të gjetjes së shkaqeve pse sot mungon edukata në familje, në shkollë, në rrugë e gjetiu apo pse ajo anashkalohet, nuk përfillet, nuk e ka vendin që meriton në shoqëri kërkimi na çon në kompleks faktorësh me relevancë, ndër të cilat do përmendim: 1) Teknologjia informative-interneti, mediat sociale ka ndikuar dhe reflekton dukshëm mbi çështjen e edukimit duke shkelur një prej çështjeve më të rëndësishme siç është edukimi. Në fakt, këto e vranë edukatën. Mediat e tilla duke instaluar modele të caktuara të sjelljes e ka shkatërruar esencën e edukimit. Gjithsesi kësaj i kontribuojnë edhe disa emisione televizive, filma e lajme. 2) Demokratizimi i shoqërisë është një faktor tjetër i cili kontribuon në ç’vlerësimin e edukatës. 3) Pluralizmi dhe partitë politike edhe pse në programet e tyre parashohin edukimin si faktor zhvillimi, ato kontribuojnë në shkatërrimin e vlerave të mirëfillta të edukatës. 4) Imigrimi i popullsisë gjithashtu ka kontribuar në çekuilibrimin e forcës dhe vlerave të edukatës sepse imigrantët sjellin vlera jo të përshtatshme të edukimit. Ato në fakt, transferojnë vlera negative dhe jo ato pozitiv.
Pra, edukata sot nuk ka forcë dhe nuk i ka vlerat dhe funksionet siç i kishte përpara. Në këtë realitet të ri, të përballur me mungesë të edukatës e cila duhet të na forcoj, lind kjo nevojë shumë e natyrshme e shoqërisë për riafirmimin e vlerave të edukatës si faktor kohezioni.
PËRFUNDIM
Duke përfunduar këtë çështje del të konkludoj se edukata është ligji i tërheqjes e cila e ndikon perspektivën e individit por nuk e perfeksionon atë. Ajo nuk ka afat skadimi. Prandaj profesioni i edukimit kërkon një përkushtim e vullnet më të madh në mënyrë që të realizohen objektivat e projektuara pedagogjike. Nuk ka justifikim për mungesën e edukatës, kjo është evidente tek ne. (koha.mk)