Shkup, 25 shkurt – Lufta e Dytë Botërore ka përfunduar, por e para ende jo. Analisti i “The Guardian”, Ivan Krastev citon fjalët e një zyrtari të lartë turk për t’iu referuar problemeve gjeopolitike të rajonit të Ballkanit. Duke përmendur fiksimin në rritje të publikut dhe qeverive me kufijtë dhe territoret, analisti pohon se kapaciteti i BE-së për të vepruar në Ballkanin Perëndimor po vihet seriozisht në provë. Përpara se unioni të realizojë ambicien e tij për transformimin e rajonit, ai duhet të jetë i vetëdijshëm për ndryshimet gjeopolitike që po ndodhin atje.
KONKURRENCA GJEOPOLITIKE ËSHTË E ASHPËR
Ndërsa në vitin 2003 nuk kishte dyshime mbi të ardhmen europiane të Ballkanit, e Turqia ishte entuziaste për mundësinë e integrimit në BE, sot konkurrenca gjeopolitike është e ashpër. Përmes investimeve të mëdha, sidomos në Serbi, Kina po shtrin gjithnjë e më shumë ndikimin e saj në rajon. Gjithashtu, qasja e Rusisë ndaj Ballkanit ka ndryshuar, – vijon “The Guardian”, – dhe Brukseli nuk ka nevojë të ketë një spiun në Kremlin për të ditur se Moska do të bëjë gjithçka për të penguar Maqedoninë t’i bashkohet NATO-s, jo për shkak të rëndësisë strategjike, por për vlerën simbolike të këtij akti. Ballkani është rajoni ku Rusia mund të punojë për të destabilizuar BE-në me një kosto shumë të ulët, si nga këndëvështrimi financiar, ashtu edhe në rrezikimin e një përballjeje me SHBA. Një tjetër rrezik vjen nga Turqia, ndërsa është e paqarte sesi do t’i luajë kartat e tij në Ballkan presidenti Recep Tayyip Erdogan. “The Guardian” sugjeron se Rusia e Turqia mund të koordinojnë politikat e tyre në rajon, si në rastin e Sirisë, me Ankaranë që mund të përdorë ndikimin te komunitetet myslimane dhe Moskën tek ato ortodokse.
“Nëse BE-ja nuk vepron përballë këtyre realiteteve të reja gjeopolitike, strategjia e saj për Ballkanin Perëndimor do të dështojë”, përfundon analisti Krastev.
SHQIPËRIA E MAQEDONIA, VENDET QË PËRÇAJNË BE-në
Anëtarët e ardhshëm përçarës të Bashkimit Europian. Kështu iu referohet britanikja “Express” Shqipërisë dhe Maqedonisë, vende që – siç thotë ajo, – pritet të nisin bisedimet për anëtarësim këtë verë. E në një sinjal të qartë se blloku është i vendosur për zgjerim, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, dhe Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, do të vizitojnë javën e ardhshme të dyja vendet, ashtu si dhe Serbinë, Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi e Kosovën. “Kjo lëvizje pritet të sjellë përçarje të mëdha brenda BE-së – thotë “Express”, – me disa vende që janë tejet hezituese, përfshirë edhe Gjermaninë, ndërsa të tjerë duan ta përshpejtojnë procesin”. Media britanike përmend deklaratën e Hahn për “Die Welt”, kur thotë se KE do të rekomandojë së shpejti, me shumë gjasë në verë, hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Të gjashta vendeve të Ballkanit u është premtuar aderimi që në vitin 2003, por procesi është vonuar për shkak të shqetësimeve se nuk është bërë mjaftueshëm për plotësimin e kushteve. “Ndarjet brenda BE-së u panë edhe gjatë takimit të ministrave të Jashtëm në Bullgari javën e kaluar”, vijon “Express”. Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel tha pas takimit se situta në Serbi dhe Kosovë ishte e vështirë.