Sevilla sfidon Bayernin e pamposhtur

28

Thuhet se statistikat, shpesh flasin shumë, por fshehin të njëjtën gjë. Nëse flasim për Bayern Munich 2020, ato janë më se të mjaftueshme. 26 fitore dhe një barazim në 27 ndeshje, 92 gola të shënuar (mbi 3 gola për ndeshje). Bavarezët janë fitues të “tripletës” sezonale. Të pamposhtur në vitin kalendarik. Asnjë klub nuk kishte shkuar kurrë kaq larg. Dhe, pas vetëm një jave pune, 8 gola në ndeshjen inauguruese të kampionatit të ri (Bundesliga).

Për Bayern Munich të Hansi Flick, Superkupa Europiane kundër Sevilla është edhe një mundësi tjetër për të bërë histori. Ose, shansi i parë i madh për ta zbuluar veten si njerëzor, ndoshta duke humbur një lojë. Gjë që nuk ka ndodhur që nga 7 dhjetori 2019. Mbi 9 muaj më parë. E fundit, që i mposhti bavarezët ishte Borussia Mönchengladbach. Nga atje, një seri fitoresh radhazi kanë shkatërruar disa rekorde.

Qëllimi në Bavari është që të fitohen 6 trofe nga 6 të mundshëm. Për ta bërë vitin 2020 të përsosur, duke fituar të gjithë titujt e mundshëm. Sonte fillon me Superkupën Europiane, për gjashtë ditë do të jetë Superkupa e Gjermanisë kundër Dortmund, pastaj, në letër, Botërori i Klubeve. Në vitin 2013, pas kryeveprës së Heynckes, Guardiola nuk ishte në gjendje ta bënte këtë, sepse u tradhtua nga Superkupa Gjermane, të cilën, në mënyrë të pabesueshme, kurrë nuk arriti ta ngrinte në duar.

Flick ka mbi supe ngarkesën e përgjegjësisë. Sigurisht, ai mund të bazohet në atë që në Gjermani tashmë e kanë riemëruar “Sanabry”, ose boshti i jashtëm Sané-Gnabry, i cili padyshim na kujton “Robbéry” (Robben dhe Ribéry).

Nga ana tjetër, Sevilla nuk ka qenë në gjendje ta provojë entuziasmin e nënshkrimeve të reja (Rakitic, Oscar Rodriguez dhe Acuna), sepse debutimi i saj në La Liga është shtyrë deri pas Superkupës Europiane. Angazhimi europian do të jetë prova e parë e ekipit të Lopetegui, pasi mundi Interin në Këln, një muaj më parë. Sezoni i ri fillon me një “Everest” për t’u ngjitur, i quajtur Bayern Munich. Pa Banega, pa Reguilón.

Këtë trofe, të dyja ekipet arritën ta vendosnin në vitrinë vetëm një herë, pavarësisht mundësive, që kurrë nuk iu kanë munguar. Në të vërtetë, Bayern Munich e “vodhi” më 1974 Superkupën Europiane, teksa finalja nuk u luajt. Bayerni, një ekip i Gjermanisë Perëndimore, do të duhej të përballej me Magdeburg, nga Gjermania Lindore. Në fund të fundit, ndeshja nuk u luajt. Zyrtarisht, për shkak se nuk gjetën dot një datë të përbashkët. Mbase ndodhi edhe për arsye politike. Logjikisht. Bavarezët e fituan trofeun në tavolinë.

Nga ana tjetër, Sevilla fitoi vetëm Superkupën e parë të luajtur, më 2006, kundër Barcelonës. Pastaj, vetëm disfata. Që nga viti 2007, kundër Milanit, në atë ndeshje që u luajt nën kujtesën e Antonio Puerta dhe në të cilën rezultati mbeti në hije. Deri në vitin 2016, me humbjen 3-2 ndaj Real Madridit. Në mes, gjithashtu, vlen të përmendet humbja e çmendur e vitit 2015 kundër Barcelonës, me shifrat 5-4. Për herë të pare, Sevilla do të sfidojë një kundërshtar gjerman. Ndoshta më të fortin ndonjëherë. Numrat e thonë këtë. Edhe nëse lojtarët do të jenë të barabartë në numër, në fushë.

Ja formacionet e mundshme:
BAYERN MUNICH (4-2-3-1): Neuer; Pavard, Süle, Alaba, Davies; Kimmich, Goretzka; Gnabry, T. Müller, Sané; Lewandowski.
SEVILLA (4-3-3): Vaclik; Jesus Navas, Koundé, Diego Carlos, Escudero; Rakitic, Fernando, Jordán; Ocampos, L. De Jong, Suso.

Comments are closed.