Strasburg, 15 tetor – Për shkak të seriozitetit të gjendjes shëndetësore në Belgjikë dhe Francë, kryetari i Parlamentit Evropian, në marrëveshje me liderët e grupeve politike, vendosi që ta mbajë seancën e ardhshme të PE-së përmes video lidhjes.
Pas raportit nga shërbimi mjekësor i Parlamentit dhe informacionit të marrë nga autoritetet belge dhe franceze për përhapjen e KOVID-19, vlerësohet se rreziqet shëndetësore janë rritur ndjeshëm. Bazuar në këtë vlerësim, u vendos që kushtet e nevojshme të sigurisë nuk ishin përmbushur për të lejuar që Parlamenti Evropian të takohej plotësisht fizikisht në seancën plenare javën e ardhshme.
Me qëllim që të sigurohet kapaciteti operacional i Parlamentit dhe në veçanti aktiviteti i tij legjislativ dhe buxhetor, me këtë rast duke shmangur rreziqe shtesë, eurodeputetët këshillohen të marrin pjesë në distancë. Ndërhyrjet plenare do të vijnë kryesisht nga zyrat ndërlidhëse të Parlamentit Evropian në vendet-anëtare, duke marrë parasysh plotësisht masat kombëtare në fuqi.
Autoritetet franceze dhe belge janë informuar për këtë vendim. Parlamenti Evropian përsëriti dëshirën e tij për t’u kthyer në selinë e tij në Strasburg sa më shpejt që të jetë e mundur dhe për t’u takuar fizikisht sapo situata ta lejojë atë.