Serzh Bramerc pret konfirmim për dënimin me burg të përjetshëm të Ratko Mlladiqit

71

Këshilli Ankimor pesëanëtarësh i Tribunalit të Hagës nesër do t’ia shqiptojë dënimin ish-gjeneralit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq për shkak të krimeve të bëra në BeH.

Kryeprokurori i Gjykatës në Hagë, Serzh Bramerc, pak para shqiptimit të nesërm të dënimit për Ratko Mlladiqin deklaroi se pret që t’i përcaktohet dënimi me burg të përjetshëm, por paralajmëroi për problemin rritës për mohimin e natyrës së krimeve të luftës në Bosnjë e Hercegovinë, veçanërisht gjenocidit në Srebrenicë.

“Jemi optimist se arritëm t’i bindim gjykatësit e Këshillit Ankimor që ta konfirmojnë aktgjykimin e shkallës së parë”, theksoi Bramerc për servisin publik BH Radio 1.

Mlladiqi është shpallur fajtor për krimet më të rënda të luftës, përfshirë edhe për gjenocidin e kryer në Srebrenicë, por këshilli i Tribunalit i hodhi poshtë akuzat se ai është përgjegjës edhe për gjenocidin e kryer në edhe pesë komuna në Bosnje e Hercegovinë në vitin 1992, siç është Priedor, ku forcat e serbëve të Bosnjës dëbuan dhe vranë gati të gjithë popullatën kroate dhe boshnjake.

Bramerc është i bindur se dënimi me burg të përjetshëm do të konfirmohet, por ai paralajmëroi se edhe pastaj do të mbetet problemi të cilin e krijojnë përpjekjet për kontestimin e fakteve të dëshmuara gjyqësore dhe për të relativizuar krimet.